Ylli Zalla i shumëkërkuari i policisë, ka mundur sërish t’i shpëtojë arrestimit. Policia e Tiranës në bashkëpunim me forcat RENEA kanë mundur të lokalizojnë këtë të martë, vendodhjen e të shumë kërkuarit Zalla në fshatin Zallë, kanë rrethuar për disa orë zonën, por ai është arratisur sërish.
“I shumëkërkuari, kur ka konstatuar shërbimet e Policisë, ka mundur të largohet dhe të futet në pyll, duke përfituar nga errësira.
Gjatë operacionit në banesën e shtetasit Ylli Zall, në fshatin Zallë, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe kanë arrestuar shtetasin F. A., 55 vjeç, banues në të njëjtin fshat, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”, pasi dyshohet se kur ka konstatuar shërbimet e Policisë, ka njoftuar dhe ka ndihmuar të shumëkërkuarin, për t’u larguar nga banesa.
Në banesën e të shumëkërkuarit Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me fishekë në fole gati për qitje, një celular që dyshohet se shtetasi Zalla nuk mundi ta merrte me vete, si dhe në vijim të kontrollit gjetën municion luftarak dhe një detektor frekuencash.
Gjithashtu, në banesë u gjet edhe vëllai i 49-vjeçarit, i cili ishte shpallur në kërkim policor nga DVP Lezhë, shtetasi E. Z, 35 vjeç, i cili do ndiqet në gjendje të lirë nga DVP Lezhë, i dyshuar si bashkëpunëtor në ngjarjen e ndodhur më datë 10.06.2026, ku në një ambient të hapur tokë, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse.” thuhet në njoftimin e policisë.
Ylli Zalla është shpallur në kërkim prej vitit 2025 pasi në shtëpinë e tij u zbulua një arsenal armësh. Ai dyshohet gjithashtu si i përfshirë në atentatin në Rinas ku mbetën të vrarë Muçi Shaljani dhe Gilmando Dani./abcnews.al



