Agustion Torassa është largimi i madh i kësaj vere nga Tirana. Argjentinasi, që gjatë qëndrimit të tij me bardheblutë u bë ndër më të mirët e mesfushës së Superiores, largohet pas dy vitesh nga 25 herë kampionët, me të cilët fitoi titullin dhe kaloi momente magjike.
Nëpërmjet një postimi në Instagram, Torassa ka zgjedhur të përshëndetet me të gjithë dhe të tregojë gjithë dashurinë për klubin dhe keqardhjen nga ky largim, pasi siç e ka shprehur është më parë, donte të qëndronte edhe një sezon te Tirana.
POSTIMI – Mbërriti momenti më pak i pritur, momenti për të thënë lamtumirë. Është krenari për mua të jem pjesë e historisë së këtij klubi. Ndoshta do të kisha dashur të largohesha në një mënyrë tjetër, por ndonjëherë gjërat nuk ndodhin në mënyrën që dëshiron ose imagjinon.
Largohem me qetësinë që i kam dhënë të gjithëve. Faleminderit fansave për dashurinë dhe respektin si gjithmonë dhe secilit person, që ishte pranë meje gjatë këtyre dy viteve.
Falënderoj gjithashtu presidentin, që më lejoi të jem pjesë e këtij klubi dy vjet më parë. Do të më mungoni dhe do të kujtoj gjithmonë secilin prej jush dhe momentet e jetuara. Shpresoj të shihemi përsëri! D.L/abcnews.al