Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Një jetë mes pemëve/ Emigranti kthehet në vendlindje pas 25 vitesh: Puna në tokë më ka dhënë kënaqësi

schedule22:15 - 22 Shtator, 2026

schedule 22:15 - 22 Shtator, 2026

Pas më shumë se dy dekadash emigrim në Greqi dhe Itali, Faslli Salliu vendosi të kthehej në vendlindje dhe të investonte në atë që njihte më mirë, tokën dhe bujqësinë.

Në vitin 2014 ai nisi të merrej me frutikulturë në Vashaj të Peqinit. Fillimisht me pjeshkë, më pas me kumbulla dhe kajsi, puna që nisi si një zgjedhje familjare u kthye në një mënyrë jetese.

“Bujqësinë e kam filluar në 2014, sepse kam qenë në emigracion. E lashë atë për kushtet e mia familjare. Në emigracion kam qëndruar 12 vjet në Greqi dhe 14 në Itali. Pastaj u ktheva. Jam marrë vetëm me bujqësi, ky ka qenë zanati ynë”, tregon ai.



Faslli Salliu është një prej fermerëve që prej vitesh i është përkushtuar frutikulturës.  Për të, puna në tokë kërkon durim, përkushtim dhe kujdes të vazhdueshëm.

“Puna fillon që në mbjellje. Dhënia e formës është si puna e fëmijës. Nëse e lë të lirë, ikën si anije pa timon. Edhe pema si fëmija”, tregon Faslliu.

Fermeri shpjeguar në emisionin “Toka Jonë” në ABC News edhe momentin kur fruti është gati për t’u vjelë, duke treguar se pjeshkat nuk mblidhen të gjitha në të njëjtën kohë.

“Duket që në ngjyrën e kokrrës. Kjo, për shembull, nuk këputet. Është akoma duke u rritur. Duhet të kesh kujdes edhe gjatë vjeljes, sepse fruti do të ruhet në frigorifer dhe nuk shkon menjëherë në treg”, shprehet ai.

Për Faslliun, çdo pemë ka nevojë për vëmendje dhe çdo sezon sjell sfida të reja. Por pas gjithë punës vjen kënaqësia e shikimit të prodhimit.

“Frutikulturë, kjo është edhe kulturë. Pothuajse flasim me të, e dimë çfarë insekti, bari e ngacmon këtë. Është kënaqësi të punosh”, thotë fermeri.

Në plantacionin e tij, vjelja e pjeshkëve zgjat disa ditë, ndërsa familja mbetet pjesë e kësaj pune që tashmë është kthyer në një traditë të tyre.

Për Faslliun, kthimi nga emigracioni nuk ishte thjesht një rikthim në vendlindje. Ishte një zgjedhje për të ndërtuar diçka të tijën dhe për të vazhduar një zanat të trashëguar.

Toka, pemët dhe prodhimi janë sot pjesë e përditshmërisë së tij. Një jetë e kaluar mes emigracionit dhe vendlindjes, që përfundimisht e solli sërish aty ku kishte nisur gjithçka: te toka.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!