Nga Leontina Nika
Historia, kultura dhe politika e qytetit të Korçës vjen me gjuhën e ftohtë të dokumenteve të arkivit të Stambollit në një udhërrëfyes nga osmanologu Ermal Nurja.
“Udhërrëfyesi do të na ndihmojë që ta shohim Korçën realisht, ashtu siç ka qenë duke qenë se janë dokumente të natyrës ekonomike dhe administrative, ku shteti kërkon që të jetë sa më ekzakt.”
Vepra përfshin 5 shekuj të qytetit juglindor nën sundimin e perandorisë osmane në dy periudha në atë klasike dhe atë moderne, ku zë fill edhe europianizimi i perandorisë.
“Mund të gjeni fermanë interesante të periudhës klasike ku sulltani lejon riparimin e një kishe, por u thotë kur do bëni riparimin nuk do të bëni zgjerim. Pastaj në periudhën e Tanzimatit rritet numri i institucioneve, krijohen ministritë…”
Origjina e sundimit osman në trevën e Korçës, sipas dokumenteve rezulton gjatë sundimit të sulltan Muratit të parë. Bërthama e qytetit të Korçës ishte pikërisht fshatrat që sulltan Bajaziti i II i dhuroi dhëndrit të tij.
“Një ndër fermanët më të vjetra, që i përket kohës së Sulltan Muratit të Parë është një ferman i 1383 ku ai një familjeje fisnikësh i akordon një sanxhak të cilit i thotë e ke fituar me mundin tënd e me shpatën tënde. Fillon nga Komotini dhe shkon deri në Bilisht që janë shumë afër Korçës. Kanë qenë qendra e sanxhakut…”
Perandoria osmane në aspektin ushtarak, ndikohet nga ai gjerman, ndërsa në aspektin shtet-formues, administrativ dhe arsimor ,adapton modelin francez ,thekson studiuesi. Si risi për Ermal Nurjan është numri i lartë i të arsimuarve asokohe bazuar në regjistra dhe dëftesa.
“Ligji për përhapjen e arsimit që moshat e vogla të dërgohen në shkollë me detyrim. Të parët ishin francezët që e vendosën si ligj të dytën që e zbatuan ishte Perandoria Osmane.”
Ky është udhërrëfyesi i dytë pas atij të Elbasanit, i cili do të pasohet nga 18 të tjerë bazuar në ndarjen administrative të perandorisë osmane. Arkivi Osman i Stambollit ruan njëqind milionë dokumente dhe mbi 300 mijë regjistra, të hartuar nga administrata qendrore dhe lokale e shtetit osman. /abcnews.al/