Komisioni i Ekonomisë miratoi ndryshimet në projektligjin për lojrat e fatit të propozura nga qeveria. Kreu i këtij komisioni Erjon Braçe, falenderoi publikisht anëtarët e komisionit që i bënë ballë sipas tij presioneve të forta që patën për të rrëzuar këtë projektligj.
Pas kryeministrit Edi Rama edhe kryetari i komisionit parlamentar të ekonomisë Erion Braçe tregoi se persona që zotërojnë aktivitete të lojrave të fatit kanë kërcënuar deputetët.
Erion Braçe, kryetar i Komisionit të Ekonomisë: “Këta njerëz që janë këtu kanë provuar këto ditë presionin maksimal nga ata që zotërojnë aktivitet të lojrave të fatit, ja ku janë nuk u ndalen.”
Pavarësisht kësaj, mazhoranca në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë i hapi rrugë mbylljes së basteve, bingove kombëtare dhe zhvendosjes së kazinove elektronike nga zonat e banuara pas 31 dhjetorit.
“Shfrytëzojmë dhe vullnetin e Presidentit të Republikës dhe përfshijmë që ligji të hyjë në fuqi menjëherë.”
Projektligji i kalon seancës parlamentare të së enjtes bashkë me amendamente shtesë. Ai parashikon gjithashtu mbylljen e basteve online nga 1 janari i vitit të ardhshëm dhe shtetëzim të sektorit të lojrave të fatit në një moment të dytë.
“Realizimi i zhvillimit dhe ndërmjetësimi i lojrave të fatit e basteve sportive e lotarisë është përgjegjësi e shtetit.”
Ministri i Financave dhe Ekonomise Arben Ahmetaj i pranishëm në komision për pikëpyetjet e deputetëve i dha përgjigje edhe opozitës ndonëse nuk ishte në sallë.
Arben Ahmetaj, ministër i Financave dhe Ekonomisë: “Bolori politike nga opozita që po mbyllen aty për tu hap aty, për ti dhënë hapësirë atij, qeveria e ka shume të qartë”.
Sa i përket Lotarisë Kombëtare ministri Ahmetaj pa të nevojshme të saktësojë.
“Pas datës 31 dhjetor asnjë asnjë shoqëri apo subjekt s’mund të ofrojë apo shërbejë lojëra fati sipas VLT. Lotaria Kombëtare ka një pretendim se i lejohet të vendoste lart e poshtë lojëra sipas VLT, por nuk ka të drejtë, zero! Nuk ka VLT. për qytetarët, VLT-të janë një formë e sofistikuar e kazinove elektronike”.
Ndërkohë që kryetari i komisionit parlamentar të ekonomisë Erion Braçe, paralajmëroi se se do të kërkojë në parlament rritje të barres fiskale për kategorite e lojrave të fatit që mbeten.
“Në Austri: 35-80 % të të gjithë të ardhurave, Greqia 20-35% të të ardhurave bruto nga loja”.
Pak pas mbylljes se mbledhjes se komisionit parlamentar te ekonomise kryeministri Rama falenderoi deputetet per mbeshtetjen e dhene per ndalimin e bixhozit. Kreu i qeverisë shkroi në Tuitter se gjithçka po bëhej për nënat dhe gratë, por edhe për ti dhënë një mesazh të qartë krimit të organizuar./abcnews.al