Presidenti amerikan Donald Trump edhe njëherë po ia arrin qëllimit. Qeveria e kancelares Angela Merkel ka pranuar blerjen e gazit të lëngshëm nga Shtetet e Bashkuara. Vendimi ka ardhur pasi Trump disa herë e ka akuzuar Berlinin se ndihmon Rusinë duke blerë gaz.
Presidenti amerikan Donald Trump feston fitoren dhe gjatë një takimi elektoral në Teksas për rizgjedhjen e senatorit Ted Cruz, i gëzohet faktit që kancelarja gjermane Angela Merkel “ka njoftuar që Gjermania do të blejë sasi të mëdha gazi natyral të lëngshëm prodhuar në Shtetet e Bashkuara”.
Në të vërtetë, siç shkruan Wall Street Journal, Merkel ka vendosur të hapë tregun e vendit të saj për gazin natyral të lëngshëm amerikan duke bashkëfinancuar një termanl prej 500 milionë eurosh në veri të vendit. Sipas burimeve të gazetës, Merkel nuk e ka përshkruar ndryshimin e mendjes si një disfatë, por si një vendim “strategjik” që mund të sjellë përfitime për një periudhë të gjatë. Drejtues gjermanë dhe amerikanë kanë shpjeguar se hapja e Berlinit ndaj gazit natyral të lëngshëm amerikan mund të ndihmojë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare me Uashingtonin dhe të shmangë sanksione të mundshme të SHBA-ve kundër gazësjellësit “Stream 2” mes Rusisë dhe Gjermanisë, që do të dyfishojë kapacitetin e eksportit të gazit rus.
Ekspertët të cituar nga Wall Street Journal bien dakord që lëvizja gjermane nuk do të sjellë ndonjë përfitim ekonomik të menjëhershëm për Gjermaninë por mund të kontribuojë në diversifikimin e burimeve të saj energjitikë. /abcnews.al