Carlo Ancelotti është gati për aventurën e dytë si trajner i Real Madrid. Tekniku italian nuk e refuzoi propozimin e Florentino Perez dhe ka firmosur një kontratë 3-vjeçare me “Los Blancos”, të cilët i drejtoi me sukses në vitet 2013-2015.
Në konferencën e prezantimit, 61-vjeçari flet rreth vendimit për të lënë Everton e për t’u rikthyer në “Santiago Bernabeu”. Realin e cilëson si shtëpinë e tij, teksa tifozët e duan shumë, prej faktit që ishte ai që solli suksesin e dhjetë në Champions League, ndryshe ‘La Decima’, por edhe për personin fantastik që është.
“Dua të falënderoj presidentin dhe të gjithë drejtuesit që më deshën sërish këtu. Jam shumë i lumtur që u riktheva, kjo është shtëpia ime dhe të gjithë energjinë që kam do e ve në dispozicion për të tentuar të përsërisim atë që kemi bërë më parë së bashku.
Kam kujtime të shkëlqyera nga dy vitet që kalova këtu. Jo vetëm për titujt e fituar, por edhe për raportet që krijuam me njëri-tjetrin. Unë e di se çfarë do të thotë të jesh trajner i Real Madrid, do e bëj me shumë entuziazëm këtë punë dhe do të synoj të bëj më të mirën time“.
Më pas një koment për merkaton. Ëndrra e madhe quhet Kylian Mbappe, teksa do punohet për rinovimin me kapitenin Sergio Ramos. “Më duhet të bisedoj me drejtuesit e klubit, por do të synojmë të garojmë me kontingjentin më të mirë të mundshëm.
LEXO EDHE: “Falënderojeni Zidane, pres 50 gola nga Benzema. CR7? Ju tregoj si u përgjigja”
Lojtarët cilësorë të japin gjithnjë e më shumë mundësi për të triumfuar, por nuk duhet harruar që kolektivi është kryesori, edhe pse dihet, individët kanë rëndësinë e tyre të madhe. Sergio Ramos? E përsëris, do të bisedoj me drejtuesit në fillim, pasi nuk jemi ulur të flasim gjerë e gjatë.
Stili i lojës? Historia e Real Madrid është e lidhur me një futboll sulmues, spektakolar dhe plot intensitet. Futbolli ka ndryshuar disi që kur u largova unë gjashtë vite më parë, por ideja mbetet e njëjta. Reali im do të jetë ofensiv dhe spektakolar“, theksoi trajneri italian. /abcnews.al