Të paktën një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur pas një sulmi me armë zjarri në një shkollë të mesme në jug të Filipineve.
Ngjarja ndodhi të premten pasdite në Banga National High School, në South Cotabato, në ishullin Mindanao.
Mediat lokale dhe autoritetet kanë raportuar shifra të ndryshme për viktimat. Deri tani, identitetet e autorit të dyshuar dhe të viktimave nuk janë bërë të ditura.
Departamenti i Arsimit tha në një deklaratë se ishte “thellësisht i shqetësuar” për incidentin e raportuar.
“Prioriteti ynë i menjëhershëm është siguria dhe mirëqenia e nxënësve, mësuesve dhe personelit të shkollës”, thuhej në deklaratë, duke shtuar se autoritetet po koordinoheshin për të verifikuar informacionet dhe për të ofruar mbështetjen e nevojshme.
Institucioni u bëri gjithashtu thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të mos shpërndajnë informacione të paverifikuara ndërsa vijon hetimi.
Guvernatori i South Cotabato, Reynaldo Tamayo, tha më herët për mediat se një person kishte humbur jetën dhe katër të tjerë ishin shtruar në spital. Ai nuk dha detaje për identitetin e autorit dhe nuk sqaroi nëse ai ishte mes viktimave apo të plagosurve.
Ndërkohë, mediat lokale kanë raportuar një numër më të lartë viktimash, duke iu referuar deklaratave të autoriteteve të tjera filipinase.
Për shkak të incidentit, mësimi është pezulluar në të gjitha nivelet në të gjithë bashkinë Banga, njoftuan autoritetet lokale të menaxhimit të emergjencave.
Kryqi i Kuq i Filipineve ka dërguar ekipe mjekësore në zonë për të ndihmuar pas të shtënave.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po heton rrethanat e incidentit.
Krimet me armë zjarri nuk janë të pazakonta në Filipine, vend që ka një nga nivelet më të larta të zotërimit të armëve në rajon. Megjithatë, të shtënat në shkolla mbeten të rralla.
Në qershor, tre nxënës u vranë dhe të tjerë u plagosën pasi bashkëmoshatarët e tyre hapën zjarr në një shkollë të mesme në pjesën qendrore të Filipineve. Hetuesit dyshuan se sulmi fatal ishte nxitur nga një konflikt i lidhur me bullizmin.

