Britani, 750 mijë qytetarë manifestuan për një referendum të dytë për BREXIT

schedule13:27 - 21 Tetor, 2018

schedule 13:27 - 21 Tetor, 2018

Rreth 750 mijë qytetarë manifestuan në Londër për të kërkuar një referendum për marrëveshjen finale për Breksit me Bashkimin Evropian. Megjithatë, kjo është një fazë shumë kritike për Britaninë pasi ende nuk dihet nëse do të largohet nga Unioni me apo pa marrëveshje me Brukselin.

Është një valë e pabesueshme njerëzore që në Londër marshoi në favor të Evropës dhe për të kërkuar një referendum të dytë të Brexit. Sipas organizatorëve, 750 mijë qytetarë ishin të pranishëm, edhe pse në të njëjtën kohë zhvillohej një ndeshje futbolli shumë e rëndësishme si Chelsea-Manchester United. Nëse shifrat do të konfirmoheshin dhe zyrtarisht, ky do të ishte manifestimi më i madh i këtij shekulli në tokën britanike, pas atij kundër luftës në Irak në 2003, në të cilin morën pjesë një milion njerëz. Por momenti është kritik për këtë vend gjithnjë e më afër një udhëkryqi për të ardhmen e vet, dhe kështu, në një të shtunë jashtëzakonisht të nxehtë të tetorit, qindra mijëra britanikë nga e gjithë Mbretëria u mblodhën sëbashku.

Mes pankartave dhe parullave pro-Evropës, protestuesit kërkuan një referendum të dytë, jo për largimin nga Unioni, por me mundësinë që të ketë fjalën e fundit mbi marrëveshjen e divorcit nga BE-ja, të cilën qeveria e Thereza May dhe autoritetet evropiane prej muajsh po përpiqen ta arrijnë me disa vështirësi, kryesisht për shkak të çështjes irlandeze dhe kthimin e kufijve mes veriut dhe jugut të ishullit.

Në rast të arritjes së një pakti deri në afatin e fundit të marsit 2019, vetëm një votë parlamentare (shumë e rrezikshme) pritet në Dhomën e Përfaqësuesve. Ndërsa rreziku i largimit pa “asnjë marrëveshje”, është rritur ndjeshëm në ditët e fundit. /abcnews.al