Ish kryeministri Sali Berisha thotë se plani B i opozitës ëshë përmbysja me forcë dhe sa më shpejt e kryeministrit Rama. I ftuar në studion e ABC News, Berisha deklaroi se i qëndron idesë qe me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Por lideri historik i PD tha se ai nuk e nxit idenë e bojkotit dhe mbështet përpjekjet për përmirësimin e sistemit të zgjedhjeve në Shqipëri.
I ftuar në studion e ABC News ish kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se sipas tij opozita po punon për afrimin e asaj që ish lideri demorkat e quajti “pika e vlimit” dhe se do të jetë në ballë të kësaj rruge popullore, jetike për fatin e Shqipërisë sipas tij.
“Opozita do jetë në bindjen time në ballë të kësaj rruge popullore që mund të jetë e dhimbshme, jetike për fatin e Shqipërisë. Mendoj se opozita në dijen time po punon për përafrimin e asaj që quhet heating point apo pika e vlimit, e shpërthimit, në sociologji. Nëse ne si shqiptarë nuk harxhojmë pak energji nga koha jonë për të ardhmen, ne do përfundojmë duke u larguar nga vendi. Vetëm në ambasadën gjermane kanë aplikuar 23 mijë të diplomuar, nuk kanë fituar të gjithë por ne kështu po zhbëhemi”.
Plani B?
“Është përmbysja me forcë e tij, rrugëzgjidhje tjetër nuk ka. Përmbysja sa më shpejt e tij është e nevojshme. Sot ne jemi një republikë kanabisi dhe republikë bixhozi”.
Kjo edhe pasi për ish kryeministrin Berisha, zgjedhje me Edi Ramën nuk mund të ketë.
“Në rast se një qeveri përdor resurset si Rama që ftoi policët të hedhin kapelat, nëse një qeveri përdor resurset ajo s’ka vullnet të largohet por duhet rrëzuar. Unë them që me Edi Ramën zgjedhje nuk ka. U provua në zgjedhjet e kaluara, 20 % të votave të blera, eksperiment s’mund të bëhet. Zgjedhje me Ramën nuk ka”.
E nëse në qershorin e kaluar lideri historik i demokratëve u pozicionua kundër bojkotit të zgjedhjeve me çdo kusht, tashmë…
“Unë të paktën nuk nxis më, jo. Kam nxitur, kam qenë nxitës për të marrë pjesë në zgjedhje, nuk nxis më.”
Për Sali Berishën vendi ndodhet në kushtet e një grushti shteti, ku Gjykata Kushtetuese nuk funksionon dhe funksionet e Gjykatës së Lartë i ka marrë vetë mazhoranca. Në një situatë të tillë parlamenti nuk duhet të ekzistojë as 10 sekonda, theksoi ai./abcnews.al