Nga Ajgena Korbi
Nëse dikush ka organizuar një dasmë në një prej pesë ditëve të fundit policia nuk ka të drejtë ta gjobisë.
Po kështu dhe nëse feston ditëlindjen me më shumë se dhjetë të ftuar apo ecën në rrugë pa maskë ndëshkimi është i pavlefshëm.
Prej pesë ditësh masat e Komitetit Teknik që menaxhon pandeminë e Covid 19 në Shqipëri kanë rënë.
Që prej pesë majit kur vendosën për heqjen e karantinës për të gjithë ata që hyjnë në vendin tonë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut dhe hapjen e pjesshme të auditoreve ekspertët e shëndetësisë nuk janë mbledhur për të shqyrtuar situatën e koronavirusit në vend.
Po në këtë mbledhje specialistët lanë në fuqi ndalimin e grumbullimeve me më shumë se dhjetë persona, orën policore dhe përdorimin e barrierës mbrojtëse kudo jashtë shtëpisë, por këto masa ishin të vlefshme vetëm për 14 ditë.
Më 20 maj urdhrit të ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu i ka përfunduar afati dhe prej kësaj date në Shqipëri ligjërisht nuk është e vlefshme asnjë prej masave anti Covid ndërsa Komiteti Teknik nuk është shprehur.
Ndërkohë Gjykata Kushtetuese më herët e detyroi atë të vendosë çdo dy javë për atë që do të ndodhë me grumbullimet në vend.
Lehtësimin e masave e paralajmëroi ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastriliu nga Elbasani.
“Besojmë që brenda dy ditëve të ardhshme do të kemi një mbledhje të Komitetit Teknik të Ekspertëve, të cilët janë duke shqyrtuar masat. Po mendohet një rivlerësim në kuadër të lehtësimit, por do të jetë gjithmonë një rihapje e kontrolluar, graduale. Pra do të ecim me një gradualitet edhe përsa i përket lehtësimit të masave që aktualisht kemi të përcaktuara”.
Përmirësimi i situatës së Covid 19 në vend ka bërë që të mbyllet pavioni për trajtimin e të sëmurëve me koronavirus në spitalin e Elbasanit ndërkohë që në proces janë dhe ato në spitalin e Durrësit dhe Shkodrës./ Abcnews.al