Konflikti me Palestinën, kryediplomati i Izraelit në Shqipëri: E kemi me Hamasin, armëpushimi vetëm pa kushte

schedule09:08 - 19 Maj, 2021

schedule 09:08 - 19 Maj, 2021

Në ditën e 10-të të rindezjes së konfliktit Izrael-Palestinë, kryediplomati i Izraelit në Shqipëri, Noah Gal Gendler, ka dhënë optikën e vendit të tij në “Abc e Mëngjesit”, për këtë konflikt që ka marrë vëmendjen e gjithë botës e ku po humbin jetën edhe të pafajshëm.

I pyetur se çfarë po ndodh mes Izraelit dhe Palestinës, ai është shprehur se nuk ka diçka të re, por po vazhdohet një konflikt i vjetër mes Izraelit dhe Hamasit.

Gendler është shprehur ndër të tjera se ky është një akumulim i ngjarjeve prej disa vitesh dhe tashmë Izraeli po përgjigjet. Ndërkohë ambasadori e ka lidhur konfliktin edhe me zgjedhjet në Palestinë, ku sipas tij Hamasi është në një situatë të acaruar.

“Nuk ka ndodhur diçka e veçantë. Çdo dy vite në kemi një përplasje me Hamasin dhe çdo vit ka justifikime të tjera. Kësaj radhe ishte ngjarja tek Xhamia ne Jeruzalem”

Ishte sporadike apo akumulim?

“Ishte akumulim i gjërave. Palestina kishte zgjedhjet që duheshin bërë dhe Hamasi u acaruar dhe u përpoq të gjejë justifikim dhe qëlloi me raketa.”

Prej disa ditësh Izraeli po sulmon pika të caktuara në Rripin e Gazës, ku kanë humbur jetën qindra persona, mes tyre edhe fëmijë e gra.
Ambasadori Gendler është shprehur se Izraeli po u kundërpërgjigjet sulmeve me raketa nga ana e Hamasit.

Ka qene e ashpër përgjigja dhe keni një sistem anti-raket.?

“Nuk di ndonjë vend që do toleronte dikë që do e gjuante me raketa. Pa ndonjë qëllim tjetër por vetëm për të krijuar raketa. Fakti se kemi mbrojtje nuk do thotë që do durojmë ata që duan të na vrasin.”

Ndërkohë për sa i përket një armëpushimi të mundshëm ku sipas disa të dhënave është kërkuar nga Kajro, ambasadori izraelit është shprehur se ata nuk do të pranojnë armëpushim me kushte nga Hamasi.

Kajro ka kërkuar një armëpushim për këtë të mërkurë. Hamasi e ka pranuar Izraeli jo?

“Nuk jam i sigurt se ky informacion është i saktë. Nuk negociojmë me Hamasin se është organizatë terroriste. Nuk e njihni Izraelin dhe kërkojnë ta shkatërrojnë. Ne kemi diskutime me Katarin dhe Egjiptin dhe nëse ka vullnet për armëpushim do ishte me kushte të pranueshme dhe jo të vendosura nga Hamasi.” Ka thënë ai. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!