Rritja e çmimit të karburanteve, biznesi kërkon heqjen e disa taksave

schedule17:54 - 14 Tetor, 2018

schedule 17:54 - 14 Tetor, 2018

Shoqatat e biznesit kërkojnë nga qeveria uljen e taksave për karburantet. Në vendin tonë një litër naftë tregtohet mesatarisht me 185 lekë, por në disa pika çmimi i kësaj lënde ka arritur në 194 lekë/litër, më i larti në rajon.

Rritja e çmimit të karburanteve gjatë javës së fundit me 10 lekë / litri ka bërë që shoqatat e biznesit t’i drejtohen qeverisë për të ulur taksat që merren nga ky produkt. Përmes një deklarate të nisur për mediat Konfindustria kërkon përgjysmimin e taksës së qarkullimit nga 27 lekë për litër në 13 lekë për litër, si dhe ngritjen e Entit Kombëtar të Karburanteve, një mekanizëm që sipas saj do të mbikëqyrë cilësinë e naftës në vend.

Por edhe Këshilli i Agrobiznesit kërkon që qeveria të marrë masa për uljen e çmimit të naftës, lëndë e cila ka afërsisht 40% të kostos në sektorin e bujqësisë. Agim Rrapaj thotë se ekzekutivi duhet të heqë akcizën për karburantin që përdoret në bujqësi.

Agim Rrapaj, Këshilli Shqiptar i Agrobiznesit: “Influencon drejtpërdrejtë tek çmimi i produkteve bujqësore, influencon drejtpërdrejtë tek mekanizimi. Do të ngremë zërin, do të vazhdojmë të ngremë zërin, për të hequr akcizën e karburantit për bujqësinë.”

Rritja së fundi e çmimit të naftës në Shqipëri, shumë lart se rajoni do të rritë edhe çmimet e produkteve bujqësore, sqaron Rrapaj, duke bërë që në treg të preferohen prodhimet e importit.

“Sot aktualisht po ngelet toka pa u punuar. Edhe në vitet në vijim, çmimet do të jenë të larta dhe në do të na mbysë importi.”

Çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare është rritur që prej shtatorit për shkak të rritjes së tensioneve tregtare SHBA- Kinë dhe daljes së Amerikës nga marrëveshja bërthamore me Iranin. Në vendin tonë një litër naftë sot tregtohet mesatarisht me 185 lekë, por në disa pika çmimi i kësaj lënde ka arritur në 194 lekë/litër, më i larti në rajon./abcnews.al