Presidenti amerikan ka kërkuar përgjigje nga Arabia Saudite lidhur me zhdukjen e gazetarit në konsullatën saudite në Stamboll. Ai thotë se do t’i shkojë deri në fund këtij rasti.
Presidenti amerikan Donald Trump ka premtuar se do t’i shkojë deri në fund çështjes së gazetarit saudit të zhdukur, Jamal Khashoggi. Kreu i Shtëpisë së Bardhë u tha reporterëve se ka biseduar me autoritetet saudite në nivelet më të lartë lidhur me rastin e bashkëpunëtorit të Uashington Post.
Khashoggi, resident në SHBA dhe kritik i monarkisë së Arabisë Saudite, hyri në konsullatën e këtij shteti në Stamboll më 2 Tetor dhe që prej asaj kohe nuk është parë. Autoritetet turke besojnë se ai është vrarë brenda selisë diplomatike. Megjithatë Arabia Saudite e mohon këtë.
“Ne nuk mund të lejojmë që kjo t’u ndodhë gazetarëve, apo çdo njeriut tjetër. Ne po kërkojmë gjithçka. Ne dëshirojmë të marrim vesh se çfarë po ndodh”, u shpreh Trump.
Shtëpia e Bardhë bëri me dije se Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo dhe zyrtarë të tjerë kanë biseduar me Princin e Kurorës Saudite, Mohammed Bin Salman dhe kanë kërkuar detaje lidhur me situatën. Si Turqia ashtu edhe Arabia Saudite janë vende aleate me Shtetet e Bashkuara.
Ndërkohë, gjatë të mërkurës, mediat turke publikuan pamje të kamerave të sigurisë, për të cilat shkruajnë se tregojnë prova për një komplot që lidhet me zhdukjen e gazetarit. Gjithashtu treguan prova se 15 agjentë të shërbimit të inteligjencës Saudite kanë hyrë dhe janë larguar po me 2 Tetor nga Turqia përmes aeroportit të Stambollit.
Mes tyre ishte edhe një ekzpert forenzike. Dyshohet se Khashoggi është vrarë brenda konsullatës saudite, e më pas është transportuar trupi i pajetë me anë të një minifurgoni të zi. Gazetari po vizitonte konsullatën për të finalizuar divorcin e tij në mënyrë që të martohej me të fejuarën turke, Hatice Cengiz. Kësaj të fundit i ka thënë se nëse nuk kthehej të telefononte një këshilltar të presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan./abcnews.al