Dy anije tregtare janë përfshirë në incidente me dronë në Detin e Zi, në afërsi të brigjeve bullgare. Si pasojë e goditjeve, njëra prej anijeve është fundosur, ndërsa ekuipazhi i anijes tjetër është detyruar të largohet pas shpërthimit të një zjarri në bord.
Pas fundosjes së njërës prej anijeve, autoritetet bullgare kanë vënë në lëvizje ekipet e kërkim-shpëtimit për gjetjen e anëtarëve të ekuipazhit, të cilët aktualisht konsiderohen të zhdukur. Ndërkohë, nuk ka ende të dhëna zyrtare për origjinën e dronëve apo për autorët e sulmeve.
Sipas transmetuesit publik bullgar BNR, Rumen Nikolov, drejtues i operacioneve të shpëtimit në Varna, konfirmoi se ekuipazhi i anijes së fundosur nuk është gjetur, ndërsa personat që ndodheshin në anijen e dytë janë evakuuar.
Mediat detare në Bullgari kanë raportuar se anija e fundosur ishte Alfa Watan, e regjistruar nën flamurin e Togos. Anija tjetër, Able, lundronte me flamurin e Palaut.
Në bordin e Able ndodheshin 18 persona. Pas shpërthimit të zjarrit, ekuipazhi u detyrua të braktiste anijen dhe u transferua në anijen bullgare të pasagjerëve Dioscuria. Raportohet se disa prej tyre kanë marrë lëndime.
Deri tani mbetet e paqartë nëse të dyja goditjet janë pjesë e të njëjtit sulm dhe nëse pas tyre qëndron i njëjti autor. Gjithashtu, autoritetet nuk kanë dhënë detaje për modelin apo llojin e dronëve të përdorur.
Incidentet kanë ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë detare, pasi, sipas informacioneve paraprake, bëhet fjalë për një nga rastet e para të këtij lloji që raportohet brenda zonës ekonomike ekskluzive të Bullgarisë, shtet anëtar i NATO-s.
Qeveria bullgare ka aktivizuar strukturat përgjegjëse për menaxhimin e situatës, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë. Në të njëjtën kohë, autoritetet kanë nisur verifikimet për të përcaktuar origjinën e dronëve dhe rrethanat e sakta në të cilat ndodhën goditjet.


