Jose Mourinho do të jetë trajneri i ri i Romës, duke filluar nga muaji korrik. “Special One” është rikthyer në Serie A pas 11 viteve. Me Interin shkroi historinë dhe u fut në zemrat e popullit zikaltër, teksa tani do të tentojë të rikthejë verdhekuqtë italianë te trofetë.
Ole Gunnar Solskjaer, ai që zëvendësoi trajnerin portugez në stolin e Manchester United në dhjetorin e vitit 2018, në prononcimin e dhënë përpara nisjes së gjysmëfinales së dytë të Europa League, kundër Romës, ka folur rreth kalimit të kolegut të tij në kryeqytetin italian.
“Lajm i shkëlqyer rikthimi i Mourinhos në Serie A. Ai ka qenë dhe vijon të mbetet një trajner madhështor. Jose është fitues, ka ende për t’i dhënë futbollit dhe jam i lumtur që do të marrë drejtimin e Romës.
I dërgoj urimet më të mira për aventurën e re, por shpresoj që Roma të mos fitojë sonte. Më vjen keq që Mourinho u largua nga Premier League, por e di që do të bëjë shumë mirë në futbollin italian“, deklaroi trajneri norvegjez i “Djajve të Kuq”. /abcnews.al