Manchester United i jep fund krizës dhe e bën këtë në skenën më të madhe të futbollit europian. “Djajtë e kuq” u kthyen te fitorja në Champions, duke mundur 3-2 Romën, me një përmbysje që tifozët në “Old Traford” do ta mbajnë mend gjatë.
Skuadra angleze ktheu në favorin e saj një sfidë që dukej krejtësisht e humbur, ashtu siç kishte ndodhur në javët e fundit edhe në Premier League.
Pjesa e parë ishte e gjitha për Romën, që gjeti dy herë rrugën e rrjetës.
Sule kaloi në epërsi skuadrën italiane me golin e parë në minutën e 11-të.
Pas vetëm gjashtë minutash, Malen dyfishoi diferencën nga pika e penalltisë për të kthyer të qetë dhe pse jo të sigurtë për suksesin, miqtë në dhomat e zhveshjes.
Por në futboll, asgjë nuk është e sigurtë dhe romanët e provuan këtë mbi shpatullat e tyre.
Me një reagim të papritur, Manchester United përmbysi rezultatin pas pushimit.
Të zotët e shtëpisë u kthyen në ndeshje me Bruno Fernandes, që në minutën e 58-të shënoi nga pika e penalltisë.
Më pas, të gjithë skenën e mori Matheus Cunha.
Në minutën e 83-të, sulmuesi brazilian barazoi rezultatin dhe pas vetëm tre minutash po vetë e ktheu atë në avantazhin e Manchester United. Në delir tribunat në “Old Traford” dhe vetë futbollisti që e mbylli ndeshjen përpara kohe I ndëshkuar me karton të kuq.
Por ky ishte vetëm një detaj, që nuk e prishi festën e “Djajve të Kuq” për fitoren e dytë në Champions, e cila shërben edhe si një frymëmarrje lehtësuese, në një sezon që gjithsesi mbetet zhgënjyes në tërësi.


