Shqipëria U19 ka luajtur ditën e sotme një ndeshje miqësore. Kuqezinjtë e Armando Cungut u përballën kundër Kukësit U21. Sfida e luajtur në kompleksin stërvitor në Kamzë, përfundoi me suksesin 6-1 të ekipit kombëtar.
Pjesa e parë përfundoi 2-0 për Shqipërinë U19, që gjeti rrugën e rrjetës me anë të Shpuzës dhe Dragajt. Shpuza realizoi një tjetër gol në pjesën e dytë, teksa triumfi tenistik u kompletua nga golat e Muzhaqit (2x) dhe Hoxhës.
Duhet theksuar fakti se për shkak të pandemisë, Armando Cungu aktivizoi në këtë ndeshje lojtarë, të cilët aktivizohen me klube të kampionatit shqiptar. Trajneri shkodran foli pas ndeshjes për mediat, ku ndër të tjera tha:
“Pas seleksionimeve të shumta që kemi bërë, kemi nxjerrë pothuajse një Kombëtare me futbollistët e kampionatit shqiptar dhe në këto kushte po tentojmë të zhvillojmë ndeshje miqësore sa më shumë me ekipe potencialisht të nivelit më të lartë se U-19.
Sot luajtëm me ekipin U-21 të Kukësit dhe do vazhdojmë të kërkojmë ndeshje të tilla për të parë realisht forcën tonë dhe të djemve sa i përket seleksionimeve që kemi bërë. Pandemia? Ky është edhe shqetësimi im, për shkak se pandemia ka bllokuar çdo gjë në botë dhe ky nuk është vetëm një problem vetëm shqiptar, por mbarë botëror.
Natyrshëm që ka prekur edhe futbollin, na ka prekur edhe neve direkt. Fatkeqësisht nuk kemi pasur mundësi për të pasur mundësinë për të lëvizur, apo për të ardhur, për t’i bërë ftesë lojtarëve, sepse pandemia siç thashë ka bërë të veten.
Dhe ky ka qenë problemi sa i përket këtyre grup-moshave sepse realisht, me atë që kemi të evidentuar në listat tona dhe me informacionet që kemi marrë, ka lojtarë të cilët luajnë në nivele të larta me klube me emër në futbollin europian dhe patjetër që duhet të jenë pjesë ekipit, por pa lënë pas dore edhe futbollistët e kampionatit shqiptar.
Po kërkoj të bëj maksimumin, më të mirën, për të bërë një Kombëtare dinjitoze dhe objektivi dhe synimi i këtyre ekipeve Kombëtare është për t’i shërbyer nesër Kombëtares së madhe. Ky është objektivi kryesor. Por nuk duhet të lëmë pas dore as kërkesat e rezultatet.
Bëhet fjalë për U-19, për një ekip tashmë ku pretendojmë që futbollistët duhet të jenë të pjekur dhe duhet të jenë të gatshëm për të kontribuar, pse jo dhe në ekipet e para të tyre, apo në Kombëtaren e madhe.
Por është shumë e rëndësishme puna që bëjnë këta futbollistë me ekipet e tyre, sepse ne thjesht jemi selektorë Kombëtaresh dhe me një ndeshje miqësore apo me një grumbullim, është e pamundur për të futur konceptet apo idetë apo gjërat për të cilat ka nevojë futbolli.
Po krijohet një Kombëtare me shqiptarët e Shqipërisë, dhe do të krijohet dhe një Kombëtare me shqiptarët që luajnë jashtë trojeve tona. Dhe në fund, do të mblidhen të dyja bashkë për të krijuar një Kombëtare të vetme, që deri në këtë moment, akoma nuk e kemi krijuar për shkak të situatës“, përfundoi Cungu. /abcnews.al