Sondazh

Dhuna e opozitës përballë integrimit europian, si duhet të reagoje qeveria?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

2600 vite sekrete nën tokë! Zbulimet e reja në tempullin antik të Apollonisë

schedule12:45 - 23 Tetor, 2026

schedule 12:45 - 23 Tetor, 2026

Çfarë fshihet ende nën rrënojat e një prej qendrave më të rëndësishme të antikitetit shqiptar? Dy sondazhe arkeologjike të zhvilluara në shtator dhe në gjysmën e parë të tetorit 2026 po hedhin dritë mbi historinë e tempullit antik në zonën e Shtyllasit, pranë Apolonisë.

Ekspedita u drejtua nga arkeologu Dr. Lavdosh Jaupaj, nga Instituti i Arkeologjisë në Tiranë, në bashkëdrejtim me profesorin Stephan G. Schmid, nga Universiteti Humboldt i Berlinit.
Gërmimet u përqendruan veçanërisht te zona e altarit, organizimi i brendshëm i tempullit dhe hyrja me rampën që siguronte aksesin në monument. Studiuesit po shqyrtojnë gjithashtu fazat e përdorimit dhe të shkatërrimit të tij, nga antikiteti deri në periudhën osmane.

Mes gjetjeve ka fragmente qeramike të periudhave klasike, helenistike dhe romake, pjesë skulpturash, monedha të prera nga vetë Apolonia, si dhe objekte prej mermeri. Një prej zbulimeve më interesante janë fragmentet e tjegullave prej mermeri të Parosit, të cilat, sipas të dhënave paraprake, datohen në gjysmën e dytë të shekullit V para erës sonë. Gjetjet pritet të ndihmojnë në rindërtimin e pamjes dhe të karakteristikave arkitekturore të çatisë së tempullit.



Përveç gërmimeve, janë kryer edhe prospektime gjeofizike dhe gjeoelektrike, pa ndërhyrje në tokë, për të identifikuar struktura të mundshme arkeologjike në zonë. Megjithatë, studiuesit theksojnë se të dhënat janë ende në analizë dhe nuk lejojnë përfundime përfundimtare. Studimi i materialit arkeologjik do të vijojë për të plotësuar dokumentacionin shkencor.

Në këtë histori mijëravjeçare bën pjesë edhe Kolona e Shtyllasit, monument dorik i ndërtuar rreth vitit 480 para erës sonë, i përbërë nga shtatë blloqe guri gëlqeror dhe i shpallur trashëgimi kulturore. Një dëshmi e madhështisë së arkitekturës antike, por edhe e humbjeve që kanë pësuar monumentet ndër shekuj, kur gurët e tempujve janë ripërdorur për kala dhe ndërtime të tjera.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!