Nga Laçi drejt Italisë, nga puna në piceri e bare te bashkëpunimet me gjigantët e luksit Dior dhe Burberry. Kjo është historia e Fatjon Kacorrtit, make up artistit shqiptar që e ktheu pasionin për grimin në një profesion që e ka çuar në botën e modës.
Sot, në moshën 40-vjeçare, ai numëron 26 vite jetë në Itali, por rrugëtimi i tij nisi shumë herët, kur ishte vetëm 14 vjeç. Një moshë kur shumica e fëmijëve janë ende nën kujdesin e prindërve, Fatjoni u përball me sfidat e emigrimit dhe me vështirësinë për të ndërtuar një jetë larg vendit të tij.
Fillimisht punoi në piceri dhe bare, mësoi gjuhën dhe u përpoq të përshtatej me një realitet të ri. Më pas, Londra dhe Milano u bënë pjesë e rrugëtimit të tij drejt grimit profesional.
Në fillim e provoi këtë fushë për të testuar aftësitë e veta, por shumë shpejt grimi u kthye në një pasion të vërtetë. Punoi edhe pa pagesë, vetëm për të fituar përvojë, derisa erdhi dita kur mori pagesën e parë: 50 euro.
Një shumë që për dikë mund të duket e vogël, por për Fatjonin ishte dëshmi se ëndrra e tij mund të bëhej realitet.
Sot, portofoli i tij përfshin bashkëpunime me shtëpi të mëdha të modës si Dior dhe Burberry, pjesëmarrje në Javën e Modës në Milano dhe punë për revista të modës e showbiz-it.
Megjithatë, rruga drejt suksesit nuk ishte e lehtë. Prindërit e tij kishin pritshmëri të tjera për të ardhmen e të birit, ndërsa Fatjoni dëshironte të ndërtonte karrierën e vet, duke ndjekur një rrugë jo gjithmonë të kuptuar nga familja.
Ai nuk u dorëzua dhe vazhdoi të besonte te aftësitë e tij.
Sot, përveç përvojës ndërkombëtare, Fatjoni ka edhe një mesazh për vajzat shqiptare: grimi nuk duhet të fshehë bukurinë, por ta nxjerrë atë në pah. Sipas tij, eleganca qëndron te natyrshmëria, ekuilibri dhe respektimi i tipareve të fytyrës.
Edhe pse punon në një botë ku luksi dhe imazhi kanë rëndësi të madhe, ai thotë se vazhdon t’i mbajë këmbët në tokë.
Shqipëria i mungon dhe çdo kthim në vendlindje e përjeton me emocion. Por historia e tij dëshmon se pasioni, puna dhe këmbëngulja mund ta shndërrojnë një ëndërr të hershme në një karrierë përtej kufijve.


