Emrin e rivalit e kemi mësuar.
Kombëtarja shqiptare do të luajë në 6 qershor në miqësore ndaj Luksemburgut, siç bën të ditur Federata Shqiptare e Futbollit.
Kuqezinjtë do të jenë përballë rivalit relativisht modest në orën 20:00 të asaj dite në “Arenën Air Albania”, dhe kjo do të jetë miqësorja e parë në program.
Federata informon se po punohet për të gjetur edhe kundërshtarin e ndeshjes tjetër përgatitore, si dhe për të përcaktuar çështjet teknike mbi vendin dhe orën se kur ajo do të luhet.
Shqipëria ka luajtur 7 ndeshje ndaj Luksemburgut, duke pasur 4 fitore, një barazim, por edhe dy humbje, pra asgjë nuk mund të quhet e lehtë.
Madje, humbje ka qenë ndeshja e fundit e luajtur po si miqësore veçse jashtë fushe, në qershor 2017.
Pritet të shihet nëse kuqezinjtë do të vazhdojnë me Silvinjon në stol, apo do të caktohet ndonjë trajner tjetër.
Qershori është përtej afatit të caktuar nga presidenti i Federatës, Armand Duka, që deklaroi për gazetarët se do të takohet me teknikun brazilian dhe se kjo çështje do të zgjidhet përpara miqësoreve./abcnews.al


