Nga Xhensila Kodra
Çantën me 3 milionë lekë të reja që autorët i grabitën punonjësit të pikës së këmbimit të parave, e fshehën në një pusetë pranë vendngjarjes.
Ky veprim i tyre, bëri që efektivët e Komisariatit nr.3 të identifikonin 3 grabitësit. Njëri prej tyre u arrestua. Dy të tjerët u shpallën në kërkim. Në pranga u vu 22-vjeçari Roni Spaho, i dënuar më parë për vjedhje.
Ai kishte rolin e informatorit duke lajmëruar dy bashkëpunëtorët për lëvizjet që po kryente 60-vjeçari Qani Zili. Ndërsa në kërkim janë shpallur dy 26-vjeçarë, njëri i dënuar më parë për vjedhje e tjetri për plagosje të rëndë.
Çanta me para qëndroi e fshehur për dy ditë me radhë. Ajo ishte pikasur nga policia vetëm pak minuta pasi ndodhi ngjarja. Por, hetuesit vendosën që dy oficerë policie të qëndronin aty deri në momentin që autorët do të shkonin ta merrnin.
Mbrëmjen e së mërkurës, Roni Spahu iu afrua pusetës ku bashkëpunëtorët e tij kishin lënë çantën, por në moment u kap nga policia.
Kamerat e sigurisë, dëshmia e 22-vjeçarit si dhe provat e fiksuara në motorin që përdorën autorët dhe e lanë në vendngjarje çuan në identifikimin e dy grabitësve të tjerë.
Tashmë tre të rinjtë akuzohen për vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim, ndërsa policia mundi të sekuestrojë edhe shumën e parave të grabitura. /abcnews.al