Për gati dy orë, deputeti i PD, Ervin Salianji, u mor në pyetje në Prokurorinë për Krimet e Rënda lidhur me akuzat e hedhura nga PD drejt vëllait të ministrit të brendshëm për çështjen “Babalja”. Deputeti u pyet për disa mospërputhje mes dëshmisë së tij të parë të dhënë në Maj 2018 dhe fakteve të reja të dala në dritë nga hetimi.
Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, u paraqit paraditen e së premtes në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Për gati 120 minuta ai dha shpjegime për prokurorët që po hetojnë mbi audio-përgjimin e publikuar nga Partia Demokratike mes Albert Veliut të njohur si “Babalja” dhe një personi tjetër të pretenduar si Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Jashtë godinës së qelqtë, Salianji tha se depozitoi prova të reja për çështjen që sipas tij po zvarritet.
“Është e qartë që Fatmir Xhafaj nuk mund ta hetojë veten, drejton hetimet për vëllain e kapur me trafik droge. Bashkë me Ramën po përdorin të gjithë infrastrukturës shtetërore dhe pushtetin politik për të varrosur këtë ngjarje. Nuk kam besim tek prokuroria dhe kam arsye të forta”, tha ai.
Edhe pse pa besim në institucionin e akuzës ai nuk dha detaje për deklarimet e tij apo faktet e paraqitura, në respekt të sekretit hetimor.
“Kam çmontuar për dy orët të gjitha të pavërtetat që janë bërë ne media… për të treguar dy standardet”.
Kjo ishte hera e dytë që Salianji pyetet në prokurori për llogari të këtij hetimit. Burime të rezervuara pranë prokurorisë, konfirmuan se deputetit i janë kërkuar sqarime me disa mospërputhje mes thënieve të tij të mëparshme, me fakte të dala në dritë gjatë hetimit./abcnews.al