Leo Messit i është rikthyer buzëqeshja. Barcelona mposhti 4-0 Athletic Bilbao mbrëmjen e kaluar, duke fituar Kupën e Mbretit për herë të 31 në histori. Kapiteni i skuadrës së Roland Koeman shënoi dy nga golat e finales.
Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, Messi shfaqet më i lumtur se kurrë. Tani nuk flitet më për largim nga skuadra e zemrës. I gjithë fokusi është në kampionat, aty ku Barcelona renditet në vend të tretë, por vetëm dy pikë larg kreut.
“Ishte një mbrëmje e lumtur. Është diçka speciale të jesh kapiteni i klubit ku kam kaluar gjithë jetën time. Ky ka qenë një vit ndryshe, shumë lëvizje në klub, shumë lojtarë të rinj, kështu që fitimi i Kupës së Mbretit është diçka e veçantë për ne.
So, about last night … pic.twitter.com/CyVMj8cgjI
— FC Barcelona (@FCBarcelona) April 18, 2021
Skuadra është forcuar pak nga pak, tani duam të vazhdojmë luftën për fitimin e titullit kampion. Më vjen keq për mungesën e tifozëve, mëkat që nuk mund të festojmë bashkë me ta. Kupat janë gjithmonë të veçanta dhe njerëzve u pëlqejnë shumë.
Tifozët tanë janë mësuar të fitojnë dhe jemi të sigurt që janë të kënaqur me ne, edhe pse mendoj se kemi hasur vështirësi këtë sezon, sidomos në fillim të vitit. Kemi humbur disa pikë për shkak të mungesës së përvojës.
Më pas u bëmë më të fortë, u treguam të aftë për t’u rifutur në garë për titullin. Na vjen keq për humbjen me Real Madrid, sigurisht që shpresonim të siguronim një tjetër rezultat në El Clasico“, deklaroi ylli i ekipit katalanas. /abcnews.al