Pas miratimit nga Qeveria e Kosovës të koncept-dokumentit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, shumë shpejt pritet të formohet grupi punues brenda Ministrisë së Drejtësisë, i cili do të punojë në hartimin e projektligjit për këtë çështje, konfirmon Genc Nimoni, këshilltar i lartë politik i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Zyrtarë të Agjencisë Kundër Korrupsionit, vlerësojnë se Projektligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, në rast se shndërrohet në ligj, pas miratimit eventual në Kuvendin e Kosovës, do t’i ndihmonte shumë luftës kundër korrupsionit, sidomos të atij të nivelit të lartë.
Nismën për këtë projektligj e ka mbështetur edhe Instituti Demokratik i Kosovës.
Nimoni: Së shpejti themelohet Grupi punues
Genc Nimoni, këshilltar i lartë i ministres së Drejtësisë të Qeverisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë që në Grupin punues për hartimin e Projektligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, i cili sipas tij do të formohet brenda një kohe të shkurtë, do të ketë edhe aktorë relevantë, përfaqësues nga bota akademike dhe ekspertë të fushës.
“Pasi që ligji, do të thotë projekti për të, do të jetë i gatshëm, e që ne po mendojmë ta procedojmë me afate të shpejta, natyrisht, në vazhdimësi duke u konsultuar me aktorë të tjerë nga bota akademike, ekspertë të fushës dhe gjithashtu edhe aktorë të shoqërisë civile, të njëjtin ne do ta procedojmë, përmes ministrisë në kuvend, për miratim. Ajo që duhet të punojmë tutje, është konsensusi edhe me subjektet e tjera (politike opozitare), nëse arrihet kjo natyrisht dhe ne do t’i ftojmë që të kontribuojnë edhe ata”, theksoi Nimoni.
Ai shtoi se pritet që në kuadër të projektligjit të shqyrtohet opsioni i themelimit të një agjencie të pavarur, e cila do të iniciojë procedurat civile dhe jopenale, ndaj personave që dyshohet se kanë përfituar pasuri të pajustifikuar apo të paligjshme. Të njëjtin proces, sipas tij, agjencia do ta bartte në gjykatë civile dhe pastaj gjykatës do t’i mbetej të vendosë në bazë të kërkesës së agjencisë. Gjithashtu, siç thotë Nimoni, është diskutuar gjithashtu që ky opsion t’i mbetet prokurorisë, por që barra e provës t’i kalojë palës që i kontestohet mënyra e fitimit të pasurisë.
Agjencia Kundër Korrupsionit dhe IKD-ja mbështesin nismën për ligjin
Nisma e Qeverisë së Kosovës për nxjerrjen e një ligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, mbështetet edhe nga Agjencia Kundër Korrupsion.
Drejtori i kësaj agjencie, Shaip Havolli, thotë për Radion Evropa e Lirë se një ligj i tillë do të ndihmonte shumë në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në aspektin e përfitimeve të kundërligjshme të zyrtarëve të lartë publikë.
Ai thekson se agjencia që ai drejton ka trajtuar disa raste të niveleve të ndryshme, për sa i përket deklarimeve të prejardhjes së pasurisë dhe tashmë kanë dërguar në prokuroritë përkatëse disa informata për hetime të mëtejme. Hoti thekson se përderisa ekziston faza e ndryshimit të Ligjit për deklarim dhe prejardhje të pasurisë, fokusi i këtij ndryshimi do të jetë pikërisht prejardhja e pasurisë.
“Agjencia nuk ka mekanizma të mjaftueshëm të gjurmimit të pasurisë sepse gjurmimi i pasurisë ose barra e provës është tek agjencia. Për këtë ne kemi dhënë disa vërejtje që t’i jepen kapacitetet ligjore agjencisë, me qëllim që të ketë mjaftueshëm gjurmim të pasurisë dhe për pasurimin e zyrtarëve të lartë”, theksoi Havolli.
Mbështetje nismës së Qeverisë së Kosovës për një ligj për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme i jep edhe Instituti Demokratik i Kosovës (IKD).
Florent Spahija, ekspert për çështje ligjore në këtë institut, thotë për Radion Evropa e Lirë se një propozim që përfaqësuesit politikë institucionalë të bëjnë një projektligj të tillë, e kishte dhënë qysh para dhjetë vjetësh edhe Instituti Demokratik i Kosovës. Sipas tij, bazuar në koncept-dokumentin e miratuar nga qeveria, aspekti civil do ta bënte më të lehtë procedurën për zbatim të ligjit, në rast se ai eventualisht miratohet dhe hyn në fuqi.
“Kjo për shkak se një gjykatë civile do të vendosë për atë se nëse duhet të konfiskohet ose jo pasuria. Pra, e tëra çka mbetet është që pala ta dëshmojë para gjykatës që pasuria që pala e ka, është e ligjshme. Sipas koncept-dokumentit që ne e kemi parë, kjo ka të bëjë më së shumti me zyrtarët shtetërorë, me personat që kanë qenë ndonjëherë zyrtarë shtetërorë apo me personat që kanë marrë para prej buxhetit të shtetit, në çfarëdo forme, pra përfshirë edhe ata që kanë realizuar tenderë të ndryshëm publikë. Kjo është e rëndësishme, për shkak se nuk i prekë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, theksoi Spahija.
Ai shtoi që edhe në qoftë se ligji do të përfshinte të gjithë qytetarët e Kosovës, ai nuk beson që kjo do të paraqiste një shkelje të të drejtave të tyre.
Cak i ligjit zyrtarët, ish-zyrtarët, jo qytetarët
Ditëve të fundit, në opinionin vendor janë ngritur debatet nëse një ligj për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, të cilin e synon ekzekutivi, mund t’i cenojë të drejtat e qytetarëve në përgjithësi.
Nimoni thotë se dilemat e ngritura lidhur me këtë çështje, me të drejtë ose jo, kanë mjegulluar para opinionit qëllimin e këtij ligji. Ai ka theksuar se për gjithçka rreth këtij projektligji do të ketë transparencë dhe nuk do të ketë paqartësi. Sipas tij, objekt i gjithë kësaj nisme për ligjin është pasuria e pajustifikueshme ndaj gjithë zyrtarëve, ish-zyrtarëve që pasurinë nuk arrijnë ta justifikojnë.
“Nuk do të jetë cak qytetari, siç e kanë potencuar në disa media dhe përgjithësisht në opinionin publik. Gjithashtu, nuk do të ketë hakmarrje, nuk do të jenë cak subjektet politike apo aktorë politikë. Kjo nuk ka lidhje me këtë dhe është shumë e paqëndrueshme. Ajo që qëndron është se kemi pasur korrupsion të nivelit të lartë në këtë komponentë dhe për ne është shumë e rëndësishme që kjo formë e korrupsionit të eliminohet, së pari dhe gjithashtu, pasuria që është marrë në mënyrë të kundërligjshme dhe që nuk arrihet të justifikohet, t’i kthehet publikes”, theksoi Nimoni.
Spahija nga IKD-ja, vlerëson që në rast se projektligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme do të përmbante edhe krijimin eventual të agjencisë që do të niste procedurat civile, kjo agjenci nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Rrjedhimisht, sipas tij, kjo agjenci nuk do të mund të bëjë veprime arbitrare, por vetëm mund ta dërgojë lëndën në gjykatë.
“Nuk po shoh ndonjë mundësi që mund ta ketë kjo agjenci dhe që mund të ketë pasojë për palën që mund të jetë subjekt i saj. Vetë fakti që listohet dhe shkon një listë e pasurisë së dikujt në gjykatë, nuk do të thotë që me patjetër ajo pasuri është e kundërligjshme. Fakti që ekziston e drejta që të argumentohet para një gjykate civile se pasuria e caktuar është e ligjshme dhe është bërë sipas transaksioneve të ligjshme, nënkupton që pala nuk do të ballafaqohet me procedurë penale”, theksoi Spahija.
Havolli: Nuk do të ketë përplasje kompetencash
Drejtori i Agjencia Kundër Korrupsionit, Havolli, thekson se aktualisht është duke u punuar edhe për Ligjin i ri për deklarim dhe prejardhje të pasurisë, si dhe që sponsor i këtij ligji është Ministria e Drejtësisë. Ai hedh poshtë mundësinë që të ketë përplasje ndërmjet këtij ligji dhe ligjit tjetër që synohet për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, si dhe përplasje kompetencash ndërmjet agjencisë që ai drejton dhe agjencisë eventuale që mund të dalë si produkt i Ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
“Edhe nëse themelohet një agjenci e tillë, në shërbim i tij do të jetë edhe Agjencia Kundër Korrupsionit, sepse kjo e fundit ka burime të mjaftueshme të informacionit në lidhje me deklaratat e pasurive të zyrtarëve të lartë. Gjatë hartimit të ligjit për sekuestrim dhe konfiskim të pasurisë do të shikohet që të mos ketë dualizëm në aspektin e dy ligjeve dhe dy agjencive”, theksoi Havolli.
Paratë nga konfiskimi i pasurisë mund t’u barten organeve të sigurisë dhe drejtësisë. Ai shtoi se agjencia që ai drejton do ta ketë një përfaqësues të vetin në hartimin e Projektligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme konsiderohet si një ndër shtyllat në luftimin e korrupsionit në Kosovë.
Sipas ligjeve aktuale, konfiskimi i pasurisë nënkupton marrjen e përhershme të pasurisë që është fituar në mënyrë të kundërligjshme, sipas urdhrit të formës së prerë nga gjykata kompetente apo organi tjetër kompetent, kurse sekuestrimi nënkupton marrjen e pasurisë nga organi kompetent deri në vendimin e prerë të gjykatës.
Rreth 1.6 milion euro është vlera e aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara në vitin 2020 dhe të cilat janë në Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar.
Vlera totale e pasurisë se administruar nga kjo agjenci, që nga themelimi i saj një dekadë më parë, është afërsisht 40 milionë euro. /REL/