Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është duke zhvilluar paraditen e së hënës një takim me të rinjtë e Vaut të Dejës. Edhe në Vaun e Dejës, kryedemokrati është pritur me brohoritje e flamuj blu nga mbështetësit e Partisë Demokratike.
Gjatë takimit me të rinjtë u ngrit shqetësimi i kushteve të shkollave në zonat rurale si dhe për sfidat me të cilat u duhet të përballen nxënësve që vendosin të shkollohen në qytete.
“Kjo qeveri e ka lënë Shqipërinë në baltë dhe fëmijët e tyre në baltë. Kjo duket tek gjendja e arsimit universitar, që s’ka si të jetë më mirë kur gjendja e sistemit parauniversitar është siç e përshkrove ti. Në zona rurale ka paradokse të tilla, një mësues i përgatitur për një lëndë jep një lëndë tjetër. Kjo bëhet në fasadën e të ashtuquajturit portal. Shumë familje janë detyruar t’i çojnë fëmijët në shkolla private. Janë futur në borxhe,” shpreh Basha.
Po ashtu, Basha theksoi se me të në krye të qeverisë, Universitetet do të kthehen në qendra të përgatitjes së profesionistëve. Ai theksoi edhe një herë se do të ndryshohet ligji për Arsimin e Lartë.
Ndërsa, duke folur për uljen e investimeve në Shqipëri për shkak të taksimit, kreu i opozitës tha se ndërsa Rama e ka mendjen të sjellë punëtorë nga Bangladeshi, ai është i vendosur të sjellë investitorë nga Gjermania. sb/abcnews.al/