Vau i Dejës – Finalizohet operacioni policor i koduar “Monitorimi”, i zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, me fokus goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike në zonat rurale.
Gjatë kontrolleve intensive në terren dhe hetimeve me metoda proaktive, në fshatin Kroni i Madh janë konstatuar parcela të kultivuara me bimë dhe fidanë të dyshuar Cannabis Sativa. Sasitë e gjetura janë asgjësuar në vend përmes djegies, ndërsa një pjesë është sekuestruar si provë materiale.
Si rezultat i veprimeve hetimore, policia ka identifikuar dhe arrestuar dy shtetas vëlla e motër, Pal Pepaj dhe Agetina Pepaj, të dyshuar si autorë të kultivimit të bimëve narkotike në zonë.
Gjithashtu, materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për kryeplakun e fshatit dhe vrojtuesin e pyjeve, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.



