Sergio Aguero synon ta mbyllë me trofe aventurën e tij me Manchester City. Fitimi i titullit kampion është çështje kohe, teksa ëndrra e madhe është triumfi në Champions League.
Ndërkohë, agjenti i sulmuesit argjentinas vazhdon të marrë oferta të ndryshme. El Kun do të dalë lojtari i lirë në fund të sezonit dhe do e zgjedhë vetë skuadrën e radhës.
Barcelona e kërkon në Spanjë, Arsenali shpreson ta bindë për të qëndruar në Premier League, ndërsa ka interesim edhe nga Juventusi e Interi në Serie A.
Listës së klubeve që duan shërbimet e 32-vjeçarit latin i është bashkuar edhe Benfica. Portugezja Record zbulon edhe ofertën e ardhur nga kryeqyteti luzitan.
“Shqiponjat e Lisbonës” i ofrojnë Agueros një kontratë 3-vjeçare me një rrogë prej 65 mijë eurosh në javë, fare pak krahasuar me 230 mijë paundët që përfiton te City. /abcnews.al