GJIROKASTËR- Një grabitje është regjistruar pasditen e sotme në qytetin e Gjirokastrës. Abcnew.al, mëson se pre e kësaj grabitje ka rënë një argjendari në qytetin jugor të vendit.
Argjendari në fjalë ndodhet në lagjen “18 shtatori”. Mësohet se kanë qenë dy persona të armatosur me pistoleta dhe të maskuar të cilët kanë hyrë brenda argjendarisë dhe kanë marrë një sasi të konsiderueshme bizhuterisht me vlerë të lartë monetare. Argjendaria është e vendosur shumë pranë Drejtorisë së Policisë në Gjirokastër por kjo nuk i ka penguar autorët që të kryejnë këtë grabitje.
Vendi është i pajisur me kamera sigurie që pritet të sekuestrohen nga grupi hetimor të cilët po punon për të identifikuar autorët e grabitjes.
Ndërkohë një reagim ka ardhur edhe nga policia:
Gjirokastër/Informacion paraprak
Më datë 31.03.2021, rreth orës 18:10, në lagjen “18 Shtatori”, në një argjendari, dy persona të paidentifikuar dyshohet se nën kërcënimin e armës, kanë vjedhur sende me vlerë dhe më pas janë larguar me shpejtësi.
Nga ana e Policisë janë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe vijon punën për fiksimin e çdo prove materiale që do shërbejë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. E.L/abcnews.al/