Procesi i shitjes së Vllaznisë, ashtu si të gjithë procedurat e tjera në vendin tonë, ka rezultuar të jetë një kalvar i gjatë, i shoqëruar nga neglizhenca e vonesa. Para disa ditësh u pranua animimi i Valter Fushës për parregullsi në lidhje me procesin e shitjes së klubit.
Përgjigja nga Komisioni i Prokurorimeve Publike duhet të kishte ardhur, por kjo nuk ka ndodhur, çka krijon shqetësim te sponsori aktual i Vllaznisë, Alban Xhaferi, i cili është një nga kandidatët për të blerë klubin. Ai ka shpjeguar këtë situatë në TV Rozafa.
“Procesi i privatizimit të Vllaznisë për fatin e keq është bllokuar në Komisionin e Prokurimeve Publike në Tiranë. Të premten e kaluar kë qenë afati i fundit që ky Komision duhej të kthente një përgjigje përfundimtare për ankesat e bëra, por për fatin e keq deri më sot një përgjigje e tillë nuk ka ardhur prej tyre.
Unë jam i habitur nga mënyra si është menaxhuar kjo pjesë. Aq sa ndoshta të lë edhe të dyshosh për këto vonesa që bëhen, por gjithsesi shpresoj që ky proces të finalizohet sa më shpejt sepse klubi duhet të privatizohet për shumë arsye që tashmë janë bërë të ditura.
Vllaznia ashtu si të gjithë ekipet në botë, duhet të privatizohet sepse përndryshe nëse nuk kryhet një proces i tille, sërish do të jetë në dilemë vazhdimësia e saj”, u shpreh Xhaferi. /abcnews.al