Manchester City po zhvillon një sezon fantastik. Fitimi i titullit kampion është çështje kohe, teksa objektivi i madh mbetet Champions League. “Cityzens” nuk kanë triumfuar kurrë në kompeticionin më të rëndësishëm për klube dhe duhet të eliminojë Dortmund për t’u kualifikuar në gjysmëfinale.
Drejtuesit e klubit anglez vazhdojnë punën edhe në merkato. Sergio Aguero do të largohet si lojtar i lirë në fund të sezonit dhe Pep Guardiola pret një tjetër sulmues. Të shumta janë emrat e përfolur si pasuesit e “El Kun”, i cili mendohet se do të vazhdojë karrierën te Barcelona.

Skysports.com raporton se City ka piketuar Danny Ings si përforcimin e duhur për repartin e sulmit. 28-vjeçari është pjesë e Southampton, me të cilët ka kontratë deri në verën e vitit 2022. Lojtari i kombëtares angleze (3 ndeshje dhe 1 gol me Tre Luanët) nuk ka pranuar të rinovojë.
Në kushte të tilla, “Shenjtorët” janë të detyruar ta shesin atë në merkaton e verës. Ings numëron 9 gola dhe 3 asiste në të gjithë kompeticionet gjatë këtij sezoni. Ai mund të luajë edhe në krahun e majtë të sulmit dhe është një nga të preferuarit e spanjollit Guardiola. /abcnews.al