Të hënën nis zyrtarisht aplikimi i taksës në Rrugën e Kombit për çdo përdorues rruge. Pas gjashtë muajsh negociatash mes qeverisë, banorëve dhe konçesionarit, tarifa për banorët e Kukësit është ulur në minimum.
Kështu Drejtuesit e automjeteve te vogla do paguajnë vetëm 100 lekë për kalim. E sipër t’jua thjeshtëzuar procedurat, çdo automjet i regjistruar në Kukës e që niset nga Kukësi drejt Tiranës, apo anasjelltas do të ketë korsinë e tij pranë tollit dhe sportelin e veçantë për kryerjen e pagesës. Mjafton një verifikim për regjistrimin e mjetit dhe pagesa do të bëhet e menjëhershme me 100 lekë për çdo kalim, nga 660 lekë që ju duhet të paguajnë mjetet e tjera jashtë qarkut të Kukësit. E njëjta pagesë është parashikuar edhe për mjetet e transportit publik të liçensuara. Ndërsa mjetet e tonazhit të rëndë dhe transportit të mallrave kanë përqindjene tyre të llogaritur disa herë më pak se ato automjete që nuk i përkasin qarkut të Kukësit.
Vendimi i koncesionarit për këtë taksë është mirëpritur nga vendorët në Kukës. Kryetari i Këshillit Bashkiak në një deklaratë publike, bëri me dije se Këshilli Bashkiak është tërhequr nga çdo diskutim apo iniciativë për protesta në lidhje me taksën në Rrugën e Kombit, duke e cilësuar si të pranueshme dhe të përballueshme nga banorët e qarkut të Kukësit. E njëjta deklaratë është bërë edhe nga Kryetari i Këshillit të Qarkut, duke e cilësuar si një arritje vendosjen e kësaj takse në limitin më të ulët e të përballueshëm nga të gjithë. /abcnews.al