Tirana ka nënshkruar me një prej lojtarëve të spikatur të moshave. Enes Kuka, të cilit i besoi trajneri Nevil Dede dhe madje besimi ndaj tij ishte edhe “molla e sherrit” për largimin para ndeshjes me Laçin, ka nënshkruar sot kontratën e parë si profesionist.
Gjithçka ndodh para derbit të kryeqytetit, që Kuka e luajti fazën e shkuar në fushë. Mesfushori qendror ka firmosur për katër vite dhe klubi kampion në fuqi njofton si më poshtë për këtë lëvizje:
“Akademia në ekipin e parë! KF Tirana njofton afrimin e emrit më të ri nga talentet e Akademisë sonë, Enes Kuka. Mesfushori i talentuar tërhoqi vëmendjen e teknikëve bardheblu, të cilët nuk nguruan ta bënin atë pjesë të ekipit të parë.
19-vjeçari do të mbajë veshur fanellën e Tiranës për 4 vitet e ardhshme duke u rritur profesionalisht në kampin e kampionëve”. Kuka është aktivizuar në 5 ndeshje në Superiore këtë sezon dhe është edhe pjesë e kombëtareve të moshave të Shqipërisë. /abcnews.al