Josa: Luajtëm më keq se në Shkodër, u tërhoqëm shumë pas kartonit të kuq

schedule15:35 - 12 Mars, 2021

schedule 15:35 - 12 Mars, 2021

I duhej me patjetër fitorja, por në fund Kukësi nuk shkoi dot më shumë se një barazim 1-1, duke humbur terren në garën për një vend në Europë. Pas ndeshjes për Supersport foli trajneri i verilindorëve, Mirel Josa.

“Nuk mund të them se çfarë nuk funksionon. Këtë e diskutoj me futbollistët. Bëmë ndeshje më të dobët se në Shkodër. Atje e qarkulluam topin më mirë dhe dolëm në pozicione shënimi. Apolonia na gjeti hapësirë sepse ne e vononim shumë topin prej mbrojtjes së Apolonisë, që rrinte me pesë mbrapa.

Në përgjithësi nuk mund të them se jam i kënaqur, por më pëlqeu përpjekja e lojtarëve që e përballoi kundërshtarin edhe me një lojtar më pak. Kishim raste dhe nuk e shfrytëzuam kundërsulmin. Kupa rruga e vetme? Të gjitha janë ndeshje që skuadrës i duhen. Një paraqitje më e mirë sot, do na çonte me mendësi më të mirë në Kupë, megjithëse mund të them se nuk ndikon shumë.

Ne duhet të ishim shumë më të ngjeshur dhe nuk duhet të tërhiqeshim shumë kur ishim me një lojtar më pak. Duhet të dilnim më saktë përpara dhe të mos e humbnin topin menjëherë”, u shpreh Josa. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!