Kryeministri Edi Rama, këtë të premte në një takim me skuadrën e PS-së në Durrës, ka prezantuar kandidatët për këtë qark.
Ai e nisi prezantimin me ministren e Bujqësisë, Milva Ikonomi dhe doktoreshën Klodi, për të cilën tha se është shumë e nderuar në komunitet.
Po ashtu ai u ndal dhe tek Lefter Koka, për të cilin, u shpreh se ka kaluar në një fazë të gjatë ndarje-bashkimi, mes LSI dhe PS, por sot është i gatshëm të kontribuojë për këtë të fundit.
“Më vjen mirë që në skuadrën tonë bashkohen dy durrsakë, që janë të njohur. Albani do të jetë një vlerë e shtuar në grupin e ekonomisë dhe financave në parlament. Ai nuk ka kërkuar gjë për shtetin, por ka qenë vijimisht dikush që dijet dhe aftësitë e tij i ka vendosur në dispozicion të profesionit dhe përmes kësaj ka arritur sukses tek njerëzit. Sigurisht që na ka ndihmuar në të shkuarën me mendimet e tij, opinionet, për klimën e biznesit, marrëdhëniet biznes administratë. Kemi dhe Terin (I referohet Lefter Kokës), s’ka nevojë për prezantim. Kjo për Terin është një rikthim në shtëpi, ndarje, bashkimi mes nesh mes PS dhe LSI ka pasur disa njerëz që kanë qenë ura dhe hendeqe, kanë qenë vijimësisht të interesuar për të qenë përbashkues dhe jo përçarës dhe mbi të gjitha njerëz që ku gjërat kanë shkuar keq nuk janë bërë zëdhënës të së keqes. LSI ka ribërë atë që ka bërë disa herë. Kështu që skuadra jonë është një skuadër që ka mesazhe të qarta për të gjithë kategoritë, është një skuadër që flet shumë fort dhe bindshëm grave dhe vajzave të Durrësit, Krujës dhe Shijakut”, tha kryeministri./abcnews.al