Qeveria serbe po e konsideron si fitore të madhe për presidentin Vuçiç, vizitën e këtij të fundit në Kosovë. Ndërsa ministri i Brendshëm i këtij vendi ka thënë se Prishtina duhet ta harrojë arrestimin e tij.
Ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviç tha se shërbimet serbe nuk do të rrinë duarkryq gjatë vizitës së Aleksandër Vuçiç në Kosovë, por bëri me dije se ata do të garantojnë që atje “të mos paraqitet askush që të kryejë arrestimin e tij”. “Këtë lirisht mund ta harrojnë”, tha ai duke komentuar mundësinë e përsëritjes së skenarit të Marko Gjuriç. Stefanoviç tha se të gjitha institucionet ndërkombëtare janë të njoftuara lidhur me vizitën e kreut të shtetit serb në Kosovë dhe porositi se ata janë të obliguar që gjithçka të kalojë në mënyrën më të mirë.
Nga ana tjetër, ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, ka thënë se vizita në Republikën e Kosovës është një fitore e madhe për Vuçiç. Këtë deklaratë ai e bëri në një emision të mëngjesit në televizionin publik serb. “ Vuçiç është një burrë trim që gjithmonë injoron atë që quhet rrezik dhe kërcënim personal, kështu ka vepruar edhe në këtë rast”, ka thënë Vulin. Ndërkohë, kjo vizitë e Vuçiç në veriun e Kosovës zhvillohet pas dështimit të takimit të tij me Thaçin në Bruksel./abcnews.al