Veç nxënësve nga klasa e parë deri në të katërt që këtë vit tekstet shkollore i përfitojnë falas, buxheti i shtetit do të rimbursojë paketat e librave edhe për rreth 64 mijë nxënës që i përkasin kategorive të veçanta sociale. Ndryshe nga vjet nuk do të drejtohen për t’i blerë në kancelari e të presin rimbursimin, por do t’i tërheqin në shkolla falas.
Nxënësit nga klasa e pestë deri në klasë të nëntë që tekstet shkollore iu rimbursohen nga buxheti i shtetit për shkak të kategorisë së veçantë ku bëjnë pjesë nuk kanë pse nxitojnë drejt kancelarive pëe të blerë paketën e librave, të pajisen me faturën tatimore e më pas të presin për të marrë paratë mbrapsht. Këtë vit tekstet do t’i marrin në shkolla falas. Drejtoresha e shkollës nëntë-vjeçare “Edith Durham” në Tiranë na tregon procedurën që prindërit duhet të ndjekin.
“Në datën 7 deri në datën 10, por edhe nëse shtyhet ky proces, duhet të dorëzohet dokumentet për të vërtetuar statusin. Është fëmijë i një prindi me aftësi të kufizuar apo që trajtohet me një pension invalidi do të dorëzojë certifikatën familjare dhe vërtetimin që tregon që ky paguhet me një pension invaliditeti. Ky njoftim është marrë nga mësuesit dhe kanë marrë si detyrim që të bëjnë lidhjet me prindërit. Vjet duhet të kenë qenë 23 nxënës. Sivjet janë shtuar disa nga kategoritë”, tha drejtoresha.
Me të verifikuar dokumentacionin, drejtoria e shkollës do të tërheqë paketat e teksteve sipas nevojës nga shtëpitë botuese.
“Nëse unë do kem dy nxënës në klasën e shtatë, tre në klasën e gjashtë, disa në fillore, do të shoh listën e librave dhe do të lidhem me shtëpinë botuese ose me distributorin që ne kemi pranë shkollës. Nëse unë këtë proces e mbaroj më herët, që në momentin që mbaron mund ta nis edhe më përpara”, theksoi ajo.
Mbështetje financiare nga buxheti i shtetit për blerjen e teksteve shkollore përfitojnë nxënësit që gëzojnë statusin e jetimit, ata të cilët vijnë nga familje që trajtohet me ndihmë ekonomike, që kanë familjarë me aftësi të kufizuar, kur kryetari i familje përfiton pension invaliditeti, fëmijet e policëve të rënë në krye të detyrës, nxënësit nga komuniteti rom dhe egjiptian apo që është fëmija i tretë në shkollë në familje. Këtyre kategorive sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit i përkasin rreth 64 mijë nxënës në të gjitha shkollat në vend./abcnews.al