Ministria e Arsimit do të rrisë mbështetjen për studentët vitin e ardhshëm.
Mirela Kumbaro: Arsimi i lartë merr rritjen më të madhe në vlerë në buxhetin e vitit 2027 të Ministrisë së Arsimit, me shtesë +1,25 miliardë lekë më shumë.
Para deputetëve të Komisionit Parlamentar të Edukimit, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, tha se paratë do të shkojnë për të rritur bursat dhe zgjeruar mbështetjen financiare për studentët. Ndërsa një grant prej 375 milionë lekësh nga buxheti i Ministrisë së Arsimit do të mbështesë sistemimin e studentëve në konvikte.
Mirela Kumbaro: 5.900 studentë nga familjet në nevojë marrin 25.000 lekë në muaj; 5.500 studentë me notë mesatare 9–10 marrin 10.000 lekë, dhe 177 studentë të programeve me përparësi kombëtare marrin 50.000 lekë në muaj, me një ndryshim thelbësor, sepse tanimë skema e mbështetjes financiare edhe për studentët e programeve prioritare zgjerohet edhe në ciklin master.
Ndërsa tha se tarifat e shkollimit mbeten të pandryshuara prej vitit 2018, ministrja e Arsimit iu drejtua edhe studentëve protestues.
Mirela Kumbaro: Dhuna nuk i shërben askujt, studentët dhe pedagogët armë kanë fjalën dhe dijen, jo gurët. Përgjigjja për studentët është rritja e buxheteve të dedikuara për ta… Edhe në tarifat që studentët paguajnë sot, nuk përfaqësohet kostoja reale, aq sa paguajnë përfaqëson vetëm rreth 8%; pjesa tjetër mbulohet nga grantet që qeveria u jep universiteteve.
Për vitin e ardhshëm, Ministria e Arsimit do të administrojë 67,95 miliardë lekë ose rreth 4,8% më shumë, ndërsa financimi i përgjithshëm për sektorin e arsimit, përfshirë bashkitë, universitetet dhe institucionet e tjera, kap vlerën e 93,7 miliardë lekëve.
Sipas ministres së Arsimit, mbështetja financiare është rritur gjithashtu edhe për rikonstruksionin apo ndërtimin e shkollave, tekstet falas, zgjerimin dhe zgjatjen e programit pas shkolle në arsimin parauniversitar etj.


