Fitojnë Teuta dhe Laçi, suksese që i kanë ngjitur dy skuadrat e Edi Martinit dhe Shpëtim Duros në vend të dytë. Vllaznia tani është vetëm një pikë larg dhe gara për titullin kampion në Superiore është bërë më e fortë dhe më spektakolare së kurrë, me katër skuadra që ndahen nga vetëm dy pikë larg.
Laçi vazhdon ecurinë fantastike në kampionat dhe është ngjitur në vend të dytë. Bardhezinjtë e Duros mposhtën 1-2 Kukësin në “Elbasan Arena”, duke siguruar fitoren e gjashtë në shtatë takimet e fundit. Emiliano Musta gjeti rrjetën në minutën e katërt dhe kaloi shumë shpejt miqtë në avantazh.
Laçi dominoi pjesën e parë, por humbi disa raste të pastra për gol. Kukësi e nisi mirë fraksionin e dytë dhe barazoi ndeshjen pas një ore lojë. Eurogol i afrikanit Eze, i cili dërgoi topin në trekëndëshin e Sherrit. Ekipi i Duros reagoi shpejt dhe u rikthye në avantazh në minutën e 74-t. Redon Xhixha u frenua në mënyrë të parregullt nga Eze dhe kryesori akordi një penallti të diskutueshme.
Regi Lushkja nuk gaboi nga pika e bardhë, gol që i dhuroi tre pikë fantastike ekipit kurbinas. Suksesi i sotëm e ka ngjitur Laçin në vend të dytë me 40 pikë, një më pak se Vllaznia kryesuese, dhe po aq sa numëron edhe Teuta.
Teuta mori sot një fitore shumë të rëndësishme ndaj Vllaznisë me shifrat 1-0, duke hapur garën për titull kampion dhe ngjeshur shumë renditjen e përgjithshme. Ishte një ndeshje përgjithësisht e ekuilibruar, por në fund lojtarët me cilësi të mëdha janë ata që vendosin dhe në këtë rast ishte Bregu, që nderoi Teutën.
Vlonjati qëndroi jashtë zone gjatë një goditje këndi në favor të Teutës dhe pasi topi u largua nga shkodranët sfera përfundoi në këmbët e Bregut. Sulmuesi e kontrolloi me shumë klas dhe lëshoi një goditje fluturimthi, duke shënuar ndoshta golin më të bukur të javës dhe i dhënë tre pikë jetike Teutës.
40 pikë numërojnë djemtë e Martinit, po aq sa ka edhe Laçi i vendit të dytë. Nga ana tjetër, Vllaznia vazhdon të jetë në krizë. Në 7 ndeshjet e fundit, kuqeblutë shkodranët kanë marrë vetëm 6 pikë. /abcnews.al
KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 22
E mërkurë, më 3 mars, ora 16:00
Teuta-Vllaznia 1-0
(Bregu 25′)
Kukësi-Laçi 1-2
(Eze 58′ / Musta 4′, Lushkja (pen) 74′)
74′ Laçi rikthehet në avantazh. Xhixha fitoi një penallti për kurbinasit dhe Regi Lushkja nuk gaboi nga pika e bardhë.
58′ Eurogol në “Elbasan Arena”. Eze dhuroi një goditje fantastike me të majtën dhe topi në trekëndësh. Kukësi gjen golin e barazimit.
25′ Vjen goli i parë në Durrës. Teuta ka kaluar në avantazh në minutën e 25-të përballë Vllaznisë kryesuese. Eurogol i Dejvi Bregut.
4′ Zhbllokohet ndeshja në “Elbasan Arena”. Laçi ka kaluar në avantazh përballë Kukësit. Emiliano Musta autori i golit për bardhezinjtë e Duros.
https://streamable.com/90qerk