Pavarësisht se kanë mosha të ndryshme mësojnë në të njëjtën klasë. Në këtë situatë ndodhen rreth 33 mijë nxënës në të gjithë shkollat e vendit. Ministria e Arsimit po synon t’i mbyllë këto klasa kolektive.
“E theksoj klasave me nxënës të moshave të ndryshme, ku numri i nxënësve është edhe 3 edhe 5. Ndërhyrja jonë ka filluar që vitin e kaluar shkollor. Testuam të gjithë nxënësit për aftësitë në shkrim-lexim dhe në bazë të nevojave realizuam programin për përforcimin e shkrim-leximit pas trajnimit të mësuesve. Ky ishte edhe hapi i parë emergjent. Hapi i dytë ishte një studim rrënjësor i gjithë sistemit të klasave kolektive të shtrirë në gjithë territorin e Shqipërisë. Kemi parë secilën klasë, kemi matur largësinë nga shtëpitë e nxënësve, nga shkollat e tjera më të afërta, kemi parë kushtet e punës në këto klasa, kemi dërguar ekipe të ecin në këmbë rrugët që përshkojnë vet nxënësit”, tha ministrja Nikolla.
Nxënësit dhe mësuesit e klasave kolektive do të transferohen në shkolla më të mëdha.
“Askush nuk do të mbetet i papunë. Për kolegët tanë nga opozita nuk mërziten për nxënësit e zonave të thella rurale, por që ju duhen vetëm për të baltosur punën tonë, mund të duket gjë koti mbyllja dhe transferimi i nxënësve dhe mund të keqinterpretohet siç dinë ta bëjnë ata.Por ju të dashur prindër kërkoni më të mirën për edukimin e fëmijëve tuaj. Ky është qëllimi edhe i reformës së klasave kolektive. Ky nuk është një fenomen shqiptar. Klasa kolektive ka edhe në vende të tjera, por atje kur mbyllen klasat kolektive është sukses, nuk akuzohet kush se po mbyll shkolla”, u shpreh ministrja.
Në klasat që është e pamundur të mbyllen ministrja Nikolla deklaroi se cilësia e arsimit do të përmirësohet, për këtë po përgatiten modelet që do të aplikohen./abcnews.al