“Memelli më mori te Tirana”, i pakënaquri Muçi: Vlerësimin e tregon paga që më jepnin

schedule08:59 - 1 Mars, 2021

schedule 08:59 - 1 Mars, 2021

“Te Tirana më afroi Memelli. Jam shumë i lumtur që e njoha në atë moshë. U poqa shumë nga ai dhe për 3 muaj arrita të kaloja te ekipi i parë”. Kështu shprehet Ernest Muçi, sulmuesi i cili nga Dinamo kaloi te moshat e Tiranës, ku u pikas nga trajneri Ze Maria dhe iu bashkua ekipit të parë.

Këtë fundjavë ai debutoi në kampionatin polak me skuadrën e Legia Varshava, por më shumë emocione ka pasur kur luajti për Tiranën për herë të parë. “Kam pasur më shumë emocione kur debutova te Tirana, kam qenë në moshë më të vogël dhe më të papjekur”, rrëfen Muçi në emisionin “Zona Gol” në Supersport.

Sulmuesi i ri i ka idetë e qarta për të ardhmen: “Shpresoj vazhdoj të luajmë sa më gjatë në Europë. Kam objektiv të luaj në Serie A dhe shpresoj ta arrij një ditë. Kombëtarja? Shpresoj ta marr një ftesë sa më shpejt. Në qoftë se jo, do të vazhdoj të jap më të mirën time dhe të shpresoj për ftesën në të ardhmen”.

 

 

Muçi kohët e fundit ka pasur disi pakënaqësi ndaj drejtuesve të Tiranës, pasi transferimi te Legia e Varshavës nuk ka qenë i lehtë. 500 mijë euro të paguara dhe klauzola që mund t’i japin bardhebluve deri në 150 mijë euro bonuse, ndërkohë që një rishitje e Muçi i jep para të tjera kampionëve në fuqi.

“Transferimin e kam përjetuar shumë mirë. Kishim gati 1 muaj që po e prisnim këtë transferim. Debutimi ishte një gëzim shumë i madh, jam shumë i lumtur që luajta dhe arritëm të merrnim 3 pikë. Ofertat i kam shqyrtuar me familjen dhe agjentin.

Kur pashë projektin e Legias isha shumë i bindur që ky ishte klubi që do të transferohesha. Nuk e kam ndjerë presionin. Jam ambientuar shumë mirë, çunat dhe klubi më kanë pritur shumë mirë. Ekipi e pëlqen futbollin me pasa të shkurtra dhe është shumë e lehtë për t’u ambientuar”.

 

Fokusi i Muçit është fusha e blertë dhe kur ngacmohet për çështjen e kontratës thotë: “Nuk di fare për shifrat dhe klauzolat. Shpresoj që të bëj më të mirën në këto 2 sezone dhe të shitem, e pse jo të ndihmoj Tiranën nga kjo shitje. Këto 15 ndeshje që kanë mbetur, shpresoj që do të shërbejnë për t’u futur në ekip.

Shpresoj që në sezonin tjetër të jap më të mirën dhe të shënoj dhe asistoj sa më shumë. Nuk e kam shumë problem ku luaj, thjesht të jem në fazën e fundit. Në ndeshjen e djeshme, u futa sulmues, pastaj kalova në krahun e djathtë. Nuk kam një rol fiks, edhe trajneri e ka fiksuar këtë gjë”.

Muçi, edhe pse Tiranën e ka në zemër, ka edhe pakënaqësitë e tij. Ai nuk ngurron edhe të flasë, duke u shprehur se ka merituar më shumë te bardheblutë: “Cilësitë e mia kanë treguar se meritoja më shumë. Nga rroga minimale që kam pasur e kanë treguar sa më kanë vlerësuar. Kam shumë besim te menaxherët dhe te vetja”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!