Dialogu me Serbinë prioritet apo jo i qeverisë së ardhshme të Kosovës?

schedule13:00 - 23 Shkurt, 2021

schedule 13:00 - 23 Shkurt, 2021

Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, i cili pritet ta formojë qeverinë e Kosovës, thotë se dialogu me Serbinë nuk është prioritet i tij. Por BE-ja dhe SHBA-ja kërkojnë nga qeveria e re të hyjë në dialog me Serbinë.

Lideri i lëvizjes Vetëvendosja Albin Kurti, partia e të cilit fitoi thellë në zgjedhjet e 14 shkurtit, ka thënë se ai nuk e ka prioritet dialogun me Serbinë. Kurti thotë se megjithatë ai do të merret me dialogun dhe bisedimet kurdo që të ndodhin, dëshiron t’iu japë formë të re bisedimeve për siç thotë “për t’i vendosur të dyja palët në pozita të barabarta”. Kështu ka deklaruar Albin Kurti në ditët e para sapo partia e tij doli e para në zgjedhje, ndonëse ai vetë nuk ishte pjesë e listës zgjedhore. “Bisedimet nuk duhet të përqëndrohen rreth mënyrës se si të kompensohet Serbia për humbjen e Kosovës. Dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës duhet t’i ndryshojë vendet tona për të mirë”, tha Kurti duke shtuar se me “Serbinë duhet të diskutojmë sinqerisht, hapur, seriozisht dhe me njerëzit si përfitues përfundimtar”, tha Kurti për AFP.

BE pret angazhim për dialogun

Sapo Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet dhe partia e zotit Kurti doli fituese, Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, në reagimin e parë përmendën dialogun si një nga çështjet, për të cilat presin angazhim konstruktiv të qeverisë së re. “Rruga evropiane e Kosovës po ashtu shkon edhe përmes normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve me Serbinë dhe BE-ja pret nga autoritetet në Prishtinë që të angazhohen në mënyrë konstruktive, me qëllim të vazhdimit të takimeve në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe ta shfrytëzojnë rastin që kanë përpara për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, thuhet në komunikatën e përbashkët të Borrel dhe Varhelyi.

SHBA pret gatishmëri nga të gjitha palët për kompromis

Edhe kreu i ri i politikës së jashtme amerikane Antony Blinken, ka thënë se “një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë, e përqendruar në njohjen reciproke, do të kërkojë fleksibilitet dhe gatishmëri nga të gjitha palët për të bërë kompromis”. Blinken këtë e tha në një letër dërguar autoriteteve serbe, me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë. Ditë më parë, edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka inkurajuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçi135, që të arrijë marrëveshje me Kosovën, e cila do të përfshinte njohjen e ndërsjellë. Në përgjigje, Vuçiç ka thënë se ka përpjekje që njohja e ndërsjellë të imponohet si zgjidhje përfundimtare, porse është detyrim i tij t’i mbrojë interesat e Serbisë.

Nga ana e saj, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç ka thënë se “është për të ardhur keq që lideri i partisë fituese të zgjedhjeve në Kosovë, njëherësh kandidat për kryeministër, Albin Kurti ka thënë se vazhdimi i dialogut me Serbinë nuk është një përparësi e tij”. “Mendoj se ky është joseriozitet i elitave politike në Prishtinë. Dialogu është mënyra e vetme për të pasur një marrëveshje për normalizim, që do të nënkuptonte më shumë begati, përparim ekonomik dhe stabilitet. Unë nuk e di se çfarë tjetër mund të ishte prioritet më i madh”, ka thënë Bërnabiq. Sipas saj, arritja e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve duhet të jetë një përparësi për Prishtinën. Bernabiç është e bindur se siҫ thotë “Kosova nuk ka perspektive pa dialog dhe marrëveshje me Beogradin”, duke shtuar se “Kosova nuk mund të negociojë anëtarësimin në BE pasi pesë vendet anëtare të bllokut nuk e njohin si shtet”.

Duhet strategji e përbashkët e Kosovës për dialogun

Analistët politik thonë që në raport me dialogun me Serbinë partitë politike parlamentare duhet të hartojnë një strategji të përbashkët. Naim Rashiti i tha DW se “dialogu me Serbinë do të vazhdojë të mbetet temë përçarëse brenda Kosovës, përderisa nuk do të ketë një unitet politik”. “Dialogu do të mbetet temë përçarëse derisa të mos këtë një marrëveshje apo një koordinim politik të brendshëm ndërinstitucional dhe ndërpolitik. A do të ndodhë kjo nuk e di, sepse për shumëkënd kanë humbur shpresat, sepse të gjitha partitë politike dhe liderët politik janë të papërcaktuar për një zgjidhje dhe s’kanë agjendë të qartë për dialogun me Serbinë”, thotë Rashiti. Sipas tij, nëse subjektet politike nuk ulen bashkërisht dhe ta hartojnë një strategji të qartë, atëherë ai mendon se “nuk do të ketë dialog të mirëfilltë”.

Së fundmi i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, në një raportim para përfaqësuesve të vendeve anëtare të bllokut, ka thënë se ai “nuk pret ndonjë marrëveshje të shpejtë për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit”. Lajçak ka ripërsëritur kërkesën e tij për nisjen e dialogut Kosovë-Serbi, menjëherë pas formimit të qeverisë të re. Sipas tij, gjatë procesit të mëhershëm, është arritur pajtueshmëri me palët për të arritur marrëveshjen ligjore të obligueshme për të dy palët, e për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!