Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, ishte i ftuar në studion e ABC Neës me gazetaren Mirela Milori në një diskutim mbi ngjarjet më të rëndësishme aktuale në vend.
Fillimisht ai shprehu mendimin e tij për rastin e sulmit të gazetares Klodiana Lala, duke thënë se lufta ndaj krimit të organizuar është një proces që nuk ka një fillim dhe një fund dhe se sa më shpejt do të zbardhen dhe autorët e ngjarjes.
Ministri Peleshi u shpreh se tashmë synohet që Shqipëria të ketë 12 muaj turizëm me anë të agroturizmit, për shkak të mozaikut natyror që ne kemi. Gjithashtu do ketë dhe shërbime të ndryshme për të tërhequr turistët.
Në lidhje me përmirësimin e kushteve turistike ai u shpreh se duhet të përmirësohemi në aspektin e tregtimit të produkteve tradicionale, pasi jemi foshnjorë në këtë drejtim dhe pse përmirësime të mëdha janë bërë. Synohet që të ndërtohen inkubatorë ku ftohen fermerë që të reklamojnë produktet e tyre.
Ai këshilloi që të kryhen blerje nëpër institucionet e licensuara sepse janë produkte të garantuara. Për sezonin e ardhshëm politik, Peleshi u shpreh se ky do të jetë një sezon i një politike të nxehtë.
Ai mendon se me opozitën nuk po shkohet drejt një vullneti për bashkëpunim duke mos gjetur forcat e brendshme për të ndërtuar një vijë të kuqe përtej së cilës të ndodhen interesat e përbashkëta kombëtare./abcnews.al

