KQZ ka përfunduar numrin e votave nga 2.382 qendra votimi në Kosovë.
Në rezultatet përfundimtare rezulton se fitorja e partisë së Albin Kurtit është historike. Vetëvendosja ka marrë 378.550 vota ose 47.85 për qind, ndërsa në zgjedhjet e 6 tetorit kishte 220.811 vota, që do të thotë se ka ngritur numrin e votave për 157.739 vota.
Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës me 137.722 vota ose 17.41 për qind. PDK në zgjedhjet 2019 u rendit e treta, me 178 mijë e 645 vota ose 21.23 për qind, që do të thotë se pavarësisht se kaloi LDK-në në këto zgjedhje, ajo ka shënuar rënie për 40.923 vota.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shënuar rezultatin e saj më të dobët deri më tash duke u renditur e treta me 103.507 vota ose 13.08 për qind. LDK më 6 tetor 2019 ishte e dyta me 206.458 vota ose 24.45 për qind. Kjo parti, nga kreu i së cilës të hënën dha dorëheqje Isa Mustafa, ka 102.951 vota më pak.
AAK, partia e Ramush Haradinajt që kandidon për president, ka marrë 58.743 vota ose 7.43 për qind. AAK në zgjedhjet 2019 ishte në garë në koalicion me PSD dhe së bashku morën 96.883 vota ose 11.47 për qind, ndërsa në vitin 2014 kur edhe garoi e vetme, AAK kishte arritur të sigurojë vetëm 9.54 për qind apo 69 mijë e 793 vota, që do të thotë se edhe kjo parti ka rënie të dukshme.
Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt nuk do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës. Ajo në zgjedhjet e 14 shkurtit ka marrë 20.535 vota ose 2.60 për qind, derisa në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 garoi si koalicion me AKR-PD duke fituar 5,002% për qind apo 42.083 vota. Nisma në zgjedhjet e vitit 2014 kishte siguruar 37 mijë e 680 vota apo 5.15 për qind.
Ndryshe në rezultatet e KQZ-së nuk janë të përfshira edhe votat me kusht, ato me postë dhe personave me aftësi të kufizuara./abcnews.al