Sherri masiv në ndeshjen Bylisi-Laçi do të fusë në siklet të madh Komisionin e Disiplinës dhe Etikës, që të mërkurën pritet të mblidhet dhe të vendosë për protagonistët. Kyrian Nwabueze është në qendër të vëmendjes, pasi goditi i pari kundërshtarin.
Kundërpërgjigja e ballshiotëve ishte po aq e dhunshme dhe sigurisht nuk mund të ketë justifikim. Klubet, Laçi dhe Bylisi, e kanë dënuar gjithçka ka ndodhur dhe madje kurbinasit e kanë pezulluar pa afat sulmuesin e tyre.
Por çfarë thotë Kodi i Disiplinës Sportive dhe a ka pasur ndonjë rast të ngjashëm? Dy sezone më parë një tjetër sherr ndodhi në kryeqytet, pas ndeshjes Tirana-Laçi, me protagonist Michael Ngoo.
Anglezi u përfshi në një sherr në tunelin e stadiumit “Selman Stermasi” me drejtuesit kurbinas. Edhe atëherë pati një përleshje masive dhe në fund Disiplina mori vendimet e saj, duke dënuar me 5 ndeshje Ngoo dhe 9 ndeshje zyrtarët e Laçit.
Në Kodin e Disiplinës Sportive, Neni 47, pika 1/e thotë se lojtari dënohet “të paktën 5 (pesë) ndeshje për sulm ose dhunë (goditje me grusht, me bërryl, ose me shkelm) ndaj kundërshtarëve ose çdo personi tjetër përveç zyrtarëve të ndeshjes”.
Pra, lojtarët e përfshirë në sherr, minimalisht do të marrin pesë ndeshje dënim. Pamjet tregojnë se Nwabueze dhe Carkanji janë vetëm dy prej tyre. Te Bylisi janë më të shumtë ata që u përfshinë në sherr dhe mbetet të shihet sa vullnet do të ketë për t’i parë pamjet me kujdes dhe për të identifikuar personat e përfshirë në atë episod të turpshëm.
Veç futbollistëve, kishte edhe pjesëtarë të stafeve që morën pjesë në sherr. Bekim Kuli një prej tyre, por pretendon se është futur për të ndarë. Për zyrtarët, sipas nenit 47, pika 2/b, dënimi është: “të paktën 9 (nëntë) ndeshje për sulm ose dhunë (goditje me grusht, me bërryl, ose me shkelm) ndaj kundërshtarëve ose çdo personi tjetër përveç zyrtarëve të ndeshjes”. / abcnews.al