Policia e Shtetit ka reaguar pas akuzave të PD-së se po pengojnë hetimin e ngjarjes së 24 Gushtit, ku u dogj makina e nënkryetarit të Bashkisë Mallakastër, Hajredin Serjanaj.
Policia shkruan se për ngjarjen dyshohet se djegia e makinës ka ardhur si pasojë e një shkëndije elektrike në mjet.
Reagimi i policisë:
“Në informacionin paraprak për mediat është dhënë njoftim se paraprakisht dyshohet se djegia e makinës ka ardhur si pasojë e një shkëndije elektrike në mjet.
Pas hetimeve të kryera dhe kqyrjes së kamerave, ka rezultuar se djegia e makinës dyshohet se është e qëllimshme dhe për këtë janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal.
Të dy informacionet, (informacioni paraprak edhe informacioni pas hetimeve) janë pasqyruar në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit, konkretisht:
Në datë 24 gusht 2018:
“Mallakastër
Informacion paraprak
Në datën 24.08.2018, rreth orës 02:35, në lagjen “29 Nëntori” Ballsh, është djegur mjeti tip BMW (i parkuar) në pronësi të shtetasit H.S (Nënkryetar i Bashkisë Ballsh). Paraprakisht dyshohet se makina është djegur si pasojë e një shkëndije elektrike në mjet. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor i cili po punon për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje”.
Ne njoftimin e publikuar ne date 25 gusht 2018:
“Në vijim të veprimeve për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit në mjetin tip “BMW”, të shtetasit H.S., 37 vjeç (Nënkryetar i Bashkisë Ballsh), u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal”.
Policia e Shtetit nen drejtimin e Prokurorise po vijon hetimet për zbardhjen e autorësisë së ngjarjes”./abcnews.al