Besa Myftiu nxjerr në dritë poezitë e dashurisë së të atit

schedule19:01 - 26 Gusht, 2018

schedule 19:01 - 26 Gusht, 2018

Pas 65 vitesh, Besa Myftiu nxjerr nga pluhuri i harresës poezitë e babait të saj, Mehmet Myftiut, shkrimtarit desident. Në një rrëfim të sinqertë, Besa rrëfen detaje rreth poezive, por edhe marrëdhëniet e Mehmet Myftiut me Kadaren dhe Trebeshinën që i ka  përmbledhur në një ese.

Besa Myftiu i bën dhuratë të atit  Mehmetit, në 88-vjetorin e lindjes, poezitë e shkruara në internim.

Ai ishte vetëm 20 vjeç kur ngjizi këto poezi, ku dominojnë lirikat e dashurisë të cilat vërtetë nuk njohin asnjë thinjë e as shenjë plakjeje, ashtu siç shkrimtari desident nuk i dëshironte që në rini.

Shkrimtari Mehmet Myftiu e lidh fatin me historinë e vendit të vet, që në moshën 12-vjeçare,  në Lëvizjen Nacional Çlirimtare. Por e bija rrëfen se ai vuajti internimin në dy  kampe, atë  nazist në Prishtinë, dhe në periudhën komuniste në Shqipëri, ku lindi edhe romani “Shkrimtari”, i pari roman disident, për të cilin regjimi e dënoi si reaksionar.

Poezitë, të cilat e bija i ka përmbledhur në një libër janë të vetmet që ai ka shkruar në këtë gjini. Ajo i dinte përmendsh dhe kur e vuri në dijeni për botimin, thotë se u mallëngjye.

Por, ajo thotë se dje i lexonte ndryshe nga sot.

Besa Myftiu është e bindur se deri në 90-vjetor do të botojë gjithçka ka mebtur nga i ati pa botuar. Mjaft interesant është një ese për Kasëm Trebeshinën dhe Ismail Kadaren, ai ka qenë mik me të dy.

Poezitë e Mehmet Myftiut nuk njohin asnjë thinjë as dje as sot. Ai  i këndon dashurisë plot pasion, shokëve të rënë, por më e veçantë është dedikimi për më të shtrenjtën, nënën./abcnews.al