Tre vjet më parë, Rr. “Danish Jukniu” në Njësinë 2 ishte një ferrishte dhe pa infrastrukturë urbane. Kryebashkiaku Erion Veliaj, asokohe në fushatë, u premtoi banorëve se kjo rrugë do të shndërrohej në një nga rrugët model të Tiranës. Ai u rikthye aty për të përuruar rrugën e re dhe për të mbajtur fjalën e dhënë tre vjet më parë. Kjo është hera e parë që investohet në Rr. “Danish Jukniu”, e cila tashmë është e pajisur me trotuare, ndriçim LED dhe infrastrukturë nëntokësore.
U kthye me një premtim të mbajtur. Kryebashkiaku Erion Veliaj, 3 vjet më parë gjatë fushatës iu premtoi banorëve se rruga “Danish Jukniu” në njësinë nr. 2 do të shndërrohej në një nga rrugët model të Tiranës.
Veliaj ndau me banorët kënaqësinë për cilësinë e punimeve të kryera.
“Mbaj mend kur kemi qenë këtu me banorët dhe ka qenë një ferrishte e jashtëzakonshme; një e tatëpjetë e mbushur me dhè, me inerte, ku njerëzit e ardhur nga çdo cep i Shqipërisë kanë munduar të krijojnë jetën e tyre, ama pa infrastrukturë. Ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e banorëve dhe më vjen mirë që e mbajtëm këtë premtim. Një rrugë, e cila është për t’u pasur zili edhe nga zonat në qendër të Tiranës sepse ndriçim LED nuk kemi as në qendër të Tiranës”.
Kryebashkiaku falenderoi qytetarët për bashkëpunimin e treguar, duke ndihmuar bashkinë që ta zbatojë projektin me të gjitha parametrat.
Ai tha se viti i katërt i mandatit në krye të Bashkisë së Tiranës do t’i kushtohet kryesisht periferive të Tiranës, në mënyrë që zonat tërësisht informale të urbanizohen dhe banorët të ndjejnë se janë qytetarë të Tiranës.
“Në këtë mandat kemi ndjekur një filozofi: viti i parë ka qenë viti i emergjencave; viti i dytë ishte viti i qendrës, me rregullimin e pikave kryesore si bulevardi apo sheshi; viti i tretë ishte viti i fshatrave, duke bëmë një lidhje të të gjitha fshatrave e komunave që u bashkuan me Tiranën. Vitin i katërt është viti i periferive, do të thotë se do të investojmë në zona si Sauku, Selita, Fresku, Kashari dhe Unaza e Re”.
Gjithashtu, Veliaj informoi se krahas investimeve në infrastrukturën urbane, bashkia po vijon punën edhe sa i përket infrastrukturës arsimore. Ai tha se këtë vit do të hapet edhe shkolla e re “Kosova”, e cila do të krijojë mundësi që shkollat përreth të ulin numrin e nxënësve nëpër klasa. “Shumë shpejt hapet shkolla e re “Kosova”, e cila ndodhet më afër se “Mihal Grameno”, “Fan Noli” apo shkolla të tjera 9-vjeçare, si “Osman Myderizi”, ku fëmijët e kësaj zone janë të detyruar të shkojnë në shkollë”, tha kryebashkiaku.
Kjo është hera e parë që investohet në Rr. “Danish Jukniu”, e cila tashmë është e pajisur me trotuare, ndriçim LED dhe infrastrukturë nëntokësore. aktualisht në Tiranë janë hapur rreth 100 kantiere pune, duke përfshirë rrugë, blloqe banimi, investime në ujësjellës etj. /abcnews.al