“Gjinari ndryshe nga fotot”, banorët: Politikanët kujtohen vetëm në fushatë

schedule13:06 - 7 Shkurt, 2021

schedule 13:06 - 7 Shkurt, 2021

Politikanët kur vizitojnë Gjinarin nuk harrojnë të publikojnë fotot magjepse nga ky fshat turistik i qarkut të Elbasanit. I fundit që ka publikuar një të tillë në “Instagram” është kreu i bashkisë së Elbasanit.

Reklamojnë peizazhin por rrugën vetëm 1.5 km në qendër të fshatit që është pothuajse e shkatërruar duket se nuk shohin.

Investimet në këtë zonë për sa i përket infrastrukturës kanë thuajse 20 vite që janë harruar. Ç’ka ja humbet bukurinë që të ofron kjo pikë turistike.

Banorët kritikojnë neglizhencën e pushtetarëve.

“Qoftë opozitarët qoftë pushtetarët të flasin hapur, gjendja është kjo që e sheh, dobësitë janë të barabarta. Gjinari s’duhet të trajtohej kështu as nga ata as nga këta që janë. Elbasani, llixhat, Gjinari dhe Bysheku, tre pika që sjellin turistë. Këto duhet të ndihmoheshin që të zhvilloheshin dhe frekuentoheshin nga turistët”, thotë ai.

Një tjetër banor e ka shpjegim më të drejtpërdrejtë se përse rruga në qendër të Gjinarit është harruar.

“Këta e quajnë pikë turistike, por nuk e njohin sepse nuk vijnë këtu, por shkojnë në Gjirin e Lalzit, shkojnë aty ku bëjnë qejf”, thotë ai.

Gjinari 4 vite më parë është përzgjedhur nga qeveria ndër 100 fshatrat turistik, por investimet duket se nuk kanë nisur.

Gjinari është konsideruar si mushkëria e Elbasanit dhe ndodhet 24 km larg qendrës së qytetit. Spikat për liqenet e vegjël dhe kisha të ndërtuara në mesjetë.

/abcnews.al/