Asnjëra nga këto skuadra nuk është në maksimum.
Gjithsesi, Dinamo dalë nga dalë po ia del t’i largohet krizës, sa më shumë lihet prapa vera europiane, ndërsa Elbasani po sheh ditë të vështira.
Përballja e javës së tretë të Superligës, teknikisht në fushën e Dinamos, por që u luajt në “Elbasan Arena” përfundoi me fitoren e merituar të kryeqytetasve.
Të besuarit e trajnerit Ilir Daja, që nuk ishte në stol për shkak të pezullimit, pësuan madje gol të parët, por kjo nuk i bëri të dorëzohen.
Nikaj shënoi që në 25’ për elbasanasit e trajnerit Gvozdenoviç, që e kupton se skuadra e tij nuk ngjan ende me atë të vitit të kaluar.
Më e thyeshme, dhe siç tha tekniku serb, disa përforcime kanë ardhur pa fazë përgatitore.
“Nëndetësja” reagoi shpejt dhe Berisha barazoi në 37’ për ta lënë fatin e duelit që të zgjidhej pas pushimit.
Fitoi ekipi “blu” dhe e meritoi, madje mund të kishte shënuar më shumë sesa një gol të vetëm që e realizoi Vila.
Suksesi ishte I rëndësishëm sepse e ngjiti Dinamon në vend të tretë me 6 pikë, tri poshtë Egnatias kampione dhe kryesuese.
Ekzistojnë mundësitë që të pretendohet më në fund titulli I parë që nga viti 2010, aq më tepër që skuadra nga Rrogozhina do të jetë e impenjuar në Ligën e Konferencës, pra në Europë.
Sa për Elbasanin, është në vendin e tretë nga fundi me vetëm 2 pikë.

